Nga kontrasT.al
Një pyetje që do t’i mundojë të gjithë burrat dhe djemtë shqiptarë, nëse do detyrohen t’i përgjigjen. Ata e kanë shumë të vështirë të pranojnë se gruaja, nëna, motra apo vajza e tyre nuk është në një formë apo tjetër një “Nënë Terezё”.
Kryeshqiptarja Nënë Tereza, është krenaria jonë femërore, ashtu si Gjergj Kastrioti Skënderbeu prin mitin mashkullor.
Ndër të gjallat shqiptare të cilat janë shembull i padiskutueshëm, veçohen vrapuesja e palodhur Luiza Gega dhe sopranoja me famë botërore Ermonela Jaho. Elena Kadare zë një vend të artë për letërsinë dhe devocionin e veçantë që tregoi në jetën e saj si shkrimtare dhe si gruaja e gjeniut të letrave Ismail Kadare.
Pak gra të famshme, mbeten pas tyre si shembuj krenarie: shkencëtarja Mira Murati që nuk e përmend më origjinën e saj dhe disa të tjera që mund t’u gjenden brenda famës edhe “cene” sipas mentalitetit që flet shqip, si p.sh. supermodeles Emina Ҫunmulaj, apo këngëtareve Dua Lipa, Bebe Rexha, Rita Ora.
Në Shqipëri, gratë dhe vajzat me pushtet janë vënë të gjitha nën hetim ose nën akuzë. Kush nuk është në ndjekje penale, e ndjek opinioni publik, që nuk fal kur vjen fjala për “femrën” me famë ose pushtet. Është i pamëshirshëm.
Kryeministri Edi Rama prezantoi në vitin 2021 qeverinë me 12 ministri të drejtuara nga femrat (75%) me vetëm 4 meshkuj, duke thyer rekord botëror. Shqipëria la pas Spanjën, Finlandën, Suedinë dhe Kanadanë. Rama mbrojti kultin e femrës në drejtim të institucioneve, “pasi ato rrallë herë korruptohen”.
Lista e gjatë e zhgënjimit
Qeveritë “femërore” Rama I, II, III dhe IV u shkërmoqën moralisht dhe juridikisht nga akuzat publike dhe hetimet zyrtare penale disa vite më pas.
Rama I: Eglantina Gjermeni, Mimi Kodheli, Milena Harito, Ermonela Felaj.
Rama II: Anila Denaj, Etilda Gjonaj, Sonila Qato, Olta Xhaçka, Ogerta Manastirliu.
Rama III: Belinda Balluku, Olta Xhaçka, Frida Krifca, Ogerta Manastirliu, Evis Kushi, Elva Margariti, Delina Ibrahimaj, Milva Ikonomi, Lindita Nikolla, Elisa Spiropali, Mirela Kumbaro, Bora Muzhaqi, Edona Bilali.
Rama IV: “Diella”, Belinda Balluku, Elisa Spiropali, Albana Koçiu, Majlinda Dhuka, Adea Pirdeni, Evis Sala.
Nëse nga emrat e 4 qeverive “femërore” nuk janë përfshirë ende në hetime penale, apo të paktën nuk ka informacion, pa asnjë përjashtim “shpata” e opinionit publik ka copëtuar çdo germë të emrit e të mbiemrit të tyre. Në mos të tyre drejtpërdrejt, të familjarëve apo akteve të tyre. Adea Pirdeni nuk ka asnjë cen “korruptiv” në shpinë, përveç faktit që është e vetmja drejtuese e një institucioni antikorrupsion në rang botëror, që nuk ka referuar asnjë çështje korruptive në organet e drejtësisë, prokurorisë.
Lista e gjatë e grave apo vajzave “zhgënjyese” me pushtet vazhdon. Ish-drejtuesja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka është nën akuzë penale. Drejtoresha dhe zёvendёsdrejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj dhe Hava Delibashi në arrest shtëpie. Drejtuesja e IKMT-së, ish-drejtoreshë e ASHK-së dhe ish-zёvendёsministre e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici, gjithashtu nën hetim. Ish-kreu i ARRSH-së, Sonila Qato në gjykim pas akuzave të SPAK-ut.
Ish-deputetja, ish-gruaja e Presidentit të Republikës, Monika Kryemadhi, me masë sigurimi, me akuzë penale nga SPAK-u.
Gruaja e kryebashkiakut Erion Veliaj, Ajola Xoxe, me masë sigurimi dhe akuzë penale nga SPAK-u.
Në pushtetin vendor, ish-kryebashkiakja e Gjirokastrës, Zamira Rami, e dënuar me 1 vit burg nga GJKKO.
Kryebashkiakja e Roskovecit, Majlinda Bufi, është në gjykim e akuzuar nga SPAK-u.
Kryebashkiakja e komanduar e Tropojës, Zyra Islamaj, në akuzë nga SPAK-u.
Kryebashkiakja e Bashkisë Dimal, Juliana Memaj, hetohet nga SPAK-u.
Me dhjetëra zyrtare të çdo niveli janë në hetim dhe akuza nga SPAK-u. Shumë prej tyre po gjykohen. Ministritë dhe institucionet “femërore” të qeverisë Rama janë bërë “skena krimi”, ku BKH ka sekuestruar me dhjetëra telefona dhe pajisje ku pretendohet të gjenden prova korrupsioni. Shtëpitë e shumë grave dhe vajzave janë bastisur nga ekipet hetimore ditët e fundit.
Në fushën e biznesit e njëjta situatë. Gratë e famshme që nga Vilma Nushi, femrat e familjes Hoxha apo ndonjë tjetër, nuk i kanë shpëtuar “ciklonit” publik. Për ndonjërën prej tyre thuhet se ka filluar edhe hetimi. Kompanitë e lidhura me tenderat e AKSHI-t, në shumicën e tyre janë kamufluar me emra vajzash që janë inkriminuar me veprimet e tyre në sektorin digjital.
Në fushën e drejtësisë, ka shembuj të shumtë ku femrat janë korruptuar. Një ish-kryeprokurore në hetim bashkë me një ish-gjyqtare dhe hetuese në arrati, bashkë me disa notere, janë shembuj që kanë prekur vëmendjen e opinionit publik.
Faji nuk është i femrave
“Duhet pritur me durim vetëm nga drejtësia”, deklaroi sot kryeministri Rama në podkastin e tij të fundit, kur u sforcua të mbrojë për herë të fundit për këtë vit “Linda Karçanaj”.
Në sferën e “korrupsionit femëror”, përveç Shemsie Kadrisë (Gjallica), Maksude Kadrisë (Sudja) dhe në 2023-shin kur ish-zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda u dënua me vendim të formës së prerë me 10 muaj burg nga GJKKO, të gjitha të tjerat janë “të pafajshme”. Ato duhet të konsiderohen të tilla deri në marrjen e një vendimi gjykate përfundimtar.
Institucioni i “prezumimit të pafajësisë” është institucioni më i zhvilluar në Shqipëri. Këtë institucion e viziton çdo ditë retorika politike. Ndërkohë që, drejtësia dhe finish-i i saj me vendime, mban rekorde të padëgjuara më parë në Europën dhe botën demokratike.
Edhe pa vendime të formës së prerë, lista e femrave shqiptare të prekura nga virusi mashkullor i korrupsionit është e gjatë, shumë e gjatë. Shoqëria po mësohet me femrën e “fortë” që bën lekë, në showbiz, në politikë, në zyrën e shtetit, në rrugë. Fjalori zhargon i femrës shqiptare nuk dallon shumë nga ai mashkullor. Zëri imponues i saj, me timbër të fortë, është më i pëlqyeri.
Modeli “Balluku” u përqafua gjerësisht nga gjithë vajzat dhe gratë në Shqipëri. Modeli i vajzës së zakonshme, të përvuajtur, e pa spikatur për bukuri, që kthehet në një Griselda Blanco me pushtet absolut që mund të ketë ç’të dojë. Ajo arriti ta “thundrojë” edhe mashkullin më të mirë!
Ky model nuk është faji i “Belindave”, as i “Karçanajve”. Krimi dhe korrupsioni nuk kanë natyrë femërore.
Është mashkulli ai që korrupton, ai që lufton për të kthyer gjithçka në favor të tij. Edhe vetë femrën. Të gjitha historitë kriminale femërore, kanë nga pas një mashkull. Për hir të fëmijëve dhe familjes femra shqiptare ka bërë çudira. Çudia e fundit është lista e gjatë e korrupsionit.
Para viteve ’90, gratë dhe vajzat shqiptare vuajtën më shumë se çdo femër në botë nën regjimin komunist. Si ato që u burgosën, internuan dhe abuzuan, si ato që iu qepën maleve dhe kodrave duke i kthyer në zona pjellore.
Pas viteve ’90, gratë dhe vajzat shqiptare u dërguan në vendet fqinje dhe ato të Europës për prostituim. Shifra është më e lartё në botë për numër popullsie.
Në të dyja epokat, xhahilёt, fajtorët dhe tutorët janë meshkujt. Gratë dhe vajzat janë viktimat e pushtetit dhe marrëzisë së tyre.
Kjo po ndodh edhe në epokën digjitale. Çdo krim femëror, ka pasur një mashkull të paskrupullt që pret para dhe pushtet prej femrës së tij. Në regjistrat e bizneseve, pronave dhe adresave, tutorët shqiptarë fshehin krimet, bizneset dhe pasuritë e tyre në emrat e nënave të moshuara, grave, vajzave të mitura. Një burracakëri e pashembullt që ndodh vetëm në Shqipëri. Në vendin ku thuhet me “burrëri” se burgu është për burra. E vërteta është në realitet ndryshe. Ai po mbushet me gra!
© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






