Nga kontrasT.al
Nga Katmandu në Lima, nga Antananarivo në Marok, viti 2025 shënoi një moment kyç për Gjeneratën Z, e cila doli masivisht në rrugë për të protestuar kundër pabarazisë, korrupsionit dhe përjashtimit politik. Të rinjtë, të lindur nga fundi i viteve ’90 deri në fillim të viteve 2010, përballen me realitete shumë të ndryshme të përditshme, por gjatë këtij viti i bashkoi një përvojë e përbashkët: revolta.
Në shumë vende, protesta lokale dhe të shpërndara u shndërruan në një valë mobilizimi me karakter ndërkombëtar. Pamjet ishin të ngjashme kudo: turma të reja, pankarta të bëra me dorë, slogane që përhapeshin me shpejtësi në TikTok, Instagram apo Discord, dhe kërkesa të thjeshta, por thelbësore – arsim, shëndetësi, strehim dhe fund të korrupsionit.
Sipas sociologëve, kjo është një gjeneratë që nuk proteston vetëm për interesat e veta, por për vlera universale dhe për një shoqëri më të drejtë. Zemërimi i tyre drejtohet ndaj elitave politike, të perceptuara si të shkëputura nga realiteti i jetës së të rinjve.
Lëvizja nisi në Indonezi, ku shpallja e përfitimeve të larta financiare për deputetët u bë shkëndija e parë. Shpejt, protestat u përhapën në Nepal, ku publikimi i luksit të fëmijëve të elitave dhe censura digjitale ndezën zemërimin popullor. Demonstratat në Katmandu u përshkallëzuan në përplasje të dhunshme dhe përfunduan me rënien e qeverisë – një fitore e rrallë për një lëvizje të lindur në rrjete sociale.
Valë tronditëse pati edhe në Afrikë. Në Madagaskar, protestat e të rinjve filluan për mungesën e energjisë dhe ujit, por shpejt u shndërruan në thirrje për dorëheqjen e presidentit. Në Marok, mobilizimi mori një formë më të organizuar, përmes platformave online, duke detyruar autoritetet të premtojnë reforma sociale.
Në Amerikën Latine, veçanërisht në Peru, të rinjtë dolën në rrugë kundër pasigurisë, korrupsionit dhe krizës politike, ndërsa përplasjet me forcat e rendit lanë viktima.
Çmimi i kësaj vale protestash ishte i lartë. Dhjetëra persona humbën jetën dhe mijëra u plagosën ose u arrestuan. Megjithatë, në disa vende, Gjenerata Z arriti të nxjerrë rezultate konkrete: qeveri që ranë, reforma të shpallura dhe një ndjenjë e re fuqie kolektive.
E ardhmja e kësaj lëvizjeje mbetet e pasigurt. Disa vende po hyjnë në një fazë të dytë mobilizimi, me fokus te zgjedhjet dhe lufta kundër korrupsionit. Në vende të tjera, represioni ka frenuar vrullin fillestar.
Megjithatë, një gjë është e qartë: Gjenerata Z ka treguar se di të organizohet, të imponojë kёrkesat e saj dhe të ushtrojë presion real, edhe pa synuar drejtpërdrejt pushtetin. Siç thonë vetë protestuesit, “nuk do të ndalemi” – dhe viti 2026 pritet të tregojë nëse kjo valë do të shndërrohet në ndryshim afatgjatë apo do të mbetet një moment historik i fortë, por i përkohshëm.
Pёrse Shqipëria ёshtё jashtё hartës së revoltës rinore?
Kjo është pyetja që del pavetёdijshёm, kur shohim energjinë, zemërimin dhe organizimin e Gjeneratës Z në vende me varfëri, represion dhe pasiguri shumë më të madhe se e jona.
Tek ne, të rinjtë duken ose të rritur para kohe, ose tё lodhur pa nisur koha e tyre, ose të dorëzuar. Një pjesë e madhe ёshtё shkёputur nga realiteti shqiptar. Larguar fizikisht ose me mendjen larg vendit amё. Shumica tjetёr janё pёrqafuar me kafenetё, në një pritje tё kotё, tё pa emër, duke vegjetuar mes zhargonit tё rrjeteve sociale dhe një realiteti që nuk premton as të ardhme, as dinjitet.
Arsyet për revoltë janё tё shumta: bullizmi, dhuna, vrasjet, mungesa e shpresës dhe moҫali politik nё tё cilin po mbyten bashkё me prindёrit e tyre. Por asgjë nuk ndizet.
Zemërimi? Mund tё jetё, por mё i madh se ai ёshtё mungesa e besimit. Besimi se diçka mund të ndryshojë. Dhe pa besim, nuk ka organizim. Dhe pa organizim ҫdo revoltё tretet thellё nё shpirt.
Gjenerata Z në Shqipëri nuk është as në rrugë, as në auditor – por duke u endur nëpёr mushkёritё e shoqёrisё, tё nxira nga tymi i duhanit e tё ndotura nga pluhuri i korrupsionit . Pyetja nuk është se pёrse rinia jonё nuk gjen arsye për t’u ndezur, por çfarë do t’i bëjë të rinjtё tanё, të kuptojnё vlerёn qё ka liria dhe hapёsira e tyre brenda saj. Kjo, ndoshta, është kriza më e rёndё e shoqёrisё shqiptare: pёrhumbja e rinisё sё saj!

(Burimi: Mbёshtetur nё reportazhin e France 24/AFP pёr Gjeneratёn Z ngritur nё protesta)






