Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, i është bashkuar mbi 50 ligjvënëseve në një nismë të pazakontë, por domethënëse: kërkesës për më shumë tualete për gratë në Parlament, pasi rritja e përfaqësimit femëror ka sjellë radhë të gjata para banjove.
Aktualisht, vetëm dy kabina u shërbejnë 73 deputeteve në Dhomën e Përfaqësuesve në Tokio, sipas një peticioni të depozituar më 12 dhjetor nga ligjvënëset. Nisma mbështetet nga 58 deputete, përfshirë kryeministren, dhe ka marrë përkrahje nga shtatë parti politike si dhe grupe të pavarura.
“Para seancave plenare, një numër vërtet i madh deputetesh grumbullohen para tualetit të grave,” tha deputetja e opozitës Yasuko Komiyama, duke e cilësuar situatën si pengesë reale për punën e përditshme parlamentare.
Japonia mbetet një shoqëri thellësisht konservatore, ku politika dhe vendet e punës janë dominuar historikisht nga burra të moshuar. Edhe sot, vendi renditet i 118-ti nga 148 shtete në Indeksin Global të Hendekut Gjinor të Forumit Ekonomik Botëror.
Megjithatë, zgjedhja e Takaichit, gruaja e parë në krye të qeverisë japoneze, dhe rritja e numrit të deputeteve në 73, shënojnë një ndryshim historik. Pavarësisht kësaj, gratë zënë ende më pak se 16% të vendeve në Dhomën e Përfaqësuesve, sipas të dhënave zyrtare.
Peticioni ndërpartiak paralajmëron se mungesa e tualeteve është “një çështje kritike që mund të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e seancave dhe kryerjen e detyrave parlamentare”. Sipas Komiyamës, problemi nuk prek vetëm deputetet, por edhe stafin femëror dhe numrin në rritje të gazetareve që ndjekin punimet e parlamentit.
Deputetja tjetër e opozitës, Tomoe Ishii, shkroi në Instagram se kjo mungesë ka qenë “një problem i kahershëm”, por që rrallëherë është ngritur publikisht. “Në shoqëri ekziston një hezitim i përgjithshëm për të folur për shtimin e tualeteve për gratë në vendet e punës dhe në shkolla,” theksoi ajo.
Ndërtesa e Parlamentit Japonez në Tokio u përfundua në vitin 1936, gati një dekadë para se gratë të fitonin të drejtën e votës në vitin 1945 dhe para se deputetja e parë grua të zgjidhej një vit më vonë. Sot, ky fakt historik duket se reflektohet ende edhe në infrastrukturë – një simbol i vogël, por domethënës, i rrugës që mbetet për t’u bërë drejt barazisë reale.
(Burimi: CNN)






