Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin për ndërhyrje të mundshme amerikane pasi protesta të përhapura në disa provinca të vendit u kthyen në përplasje vdekjeprurëse. Reagimi i tij ka shkaktuar kundërpërgjigje të ashpra nga udhëheqja iraniane, e cila ka kërcënuar drejtpërdrejt interesat dhe forcat amerikane në rajon.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump deklaroi se nëse autoritetet iraniane përdorin dhunë ndaj protestuesve paqësorë, Shtetet e Bashkuara janë “gati dhe të armatosura” për të vepruar. “Nëse Irani qëllon dhe vret në mënyrë të dhunshme protestues paqësorë, siç është zakoni i tyre, Shtetet e Bashkuara do t’u vijnë në ndihmë. Ne jemi gati për veprim”, shkroi ai.
Protestat shpërthyen këtë javë në disa provinca iraniane, të nxitura nga rënia e fortë e vlerës së monedhës kombëtare dhe përkeqësimi i kushteve ekonomike. Në disa raste, demonstratat degjeneruan në përplasje me policinë, duke shkaktuar viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Zyrtarët iranianë reaguan me tone kërcënuese ndaj deklaratave të Trump. Ali Larijani, shefi i sigurisë kombëtare të Iranit, paralajmëroi se çdo ndërhyrje amerikane do të sillte destabilizim në të gjithë rajonin dhe shkatërrim të interesave amerikane. Ndërsa Ali Shamkhani, këshilltar i afërt i Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei, e cilësoi sigurinë kombëtare të Iranit si “vijë të kuqe”, duke kërcënuar me një përgjigje të ashpër ndaj çdo përpjekjeje për ndërhyrje.
Kërcënimi më i drejtpërdrejtë erdhi nga kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili tha se çdo qendër apo forcë amerikane në Lindjen e Mesme do të ishte një objektiv legjitim nëse Uashingtoni ndërhyn.
Sipas analistëve, këto deklarata e vendosin administratën amerikane përballë një dileme të fortë strategjike: nëse kërcënimet nuk ndiqen me veprime, regjimi iranian mund të inkurajohet, por një ndërhyrje reale rrezikon përshkallëzim të gjerë rajonal.
Sipas mediave shtetërore iraniane, të paktën tre persona u vranë dhe 17 të tjerë u plagosën në qytetin Azna, në provincën perëndimore Lorestan, pasi protestuesit sulmuan një stacion policie. Përplasje të tjera të rënda u raportuan edhe në provincat Chaharmahal dhe Bakhtiari, ku pati viktima dhe dëme ndaj ndërtesave shtetërore, bankave dhe zyrave publike.
Në disa zona, autoritetet njoftuan për dhjetëra arrestime me akuzën e “prishjes së rendit publik”.Protestat e fundit janë më të mëdhatë që nga viti 2022, kur një kryengritje mbarëkombëtare shpërtheu pas vdekjes së Mahsa Amini, 22 vjeçe, në paraburgim policor.
Këtë herë, në rrugë kanë dalë tregtarë, studentë dhe qytetarë të zakonshëm, të cilët kanë brohoritur slogane kundër regjimit dhe kushteve ekonomike.
Departamenti Amerikan i Shtetit shprehu shqetësim për raportimet mbi dhunë, frikësim dhe arrestime të protestuesve, duke u bërë thirrje autoriteteve iraniane të ndalin shtypjen.
Megjithëse ende të kufizuara, këto protesta konsiderohen nga vëzhguesit si një tjetër shenjë e pakënaqësisë së thellë në shoqërinë iraniane, ku qytetarët po kërkojnë gjithnjë e më hapur hapësirë për zë dhe liri.
(Burimi: CNN)






