Autoritetet zvicerane kanë konfirmuar se midis 80 dhe 100 persona të plagosur nga zjarri shkatërrues në vendpushimin e skive Crans-Montana ndodhen në gjendje kritike, duke shtuar frikën se numri i viktimave mund të rritet ndjeshëm në ditët në vijim. Zjarri shpërtheu gjatë natës së Vitit të Ri në rajonin Valais.
Drejtori i sigurisë për rajonin, Stéphane Granzer, deklaroi për mediat se ashpërsia e djegieve e bën situatën jashtëzakonisht të rëndë. Aktualisht, bilanci zyrtar flet për 40 viktima dhe 119 të plagosur, nga të cilët 113 janë identifikuar. Për shkak të situatës emergjente, është aktivizuar Shërbimi Evropian i Mbrojtjes Civile, për të transferuar të plagosurit me djegie të rënda në spitale të specializuara jashtë Zvicrës.
Procesi i identifikimit të viktimave po rezulton shumë i ndërlikuar dhe, sipas autoriteteve, mund të zgjasë javë të tëra. Deri tani, është identifikuar vetëm një viktimë: Emanuele Galeppini, 16-vjeçar, golfist italian që jetonte në Dubai, vdekja e të cilit u konfirmua nga Federata Italiane e Golfit.
Kombësitë e të plagosurve
Autoritetet kanë bërë të ditur se shumica e të plagosurve janë shtetas zviceranë (71), të ndjekur nga francezë dhe italianë. Mes të prekurve ka gjithashtu persona nga Belgjika, Portugalia, Luksemburgu, Polonia, Bosnja dhe Serbia. Kombësitë e 14 personave mbeten ende të panjohura. Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, deklaroi se nuk ka viktima spanjolle. Ndër të zhdukurit raportohen edhe të paktën tre shtetas izraelitë.
Garë me kohën për shpëtimin e të plagosurve
Drejtori i spitalit në Sion, qyteti më i afërt i madh me Crans-Montanan, tha se mjekët po përballen me djegie “jashtëzakonisht serioze, të papara më parë”. Për shkak të mungesës së kapaciteteve të specializuara, pacientët po transferohen jashtë vendit. Franca do të trajtojë tetë pacientë të tjerë përveç tre që ndodhen tashmë në Lion, Polonia do të pranojë 14 të plagosur, ndërsa Italia ka marrë tre në Milano dhe pret të pranojë të tjerë. Kroacia, Danimarka dhe Suedia kanë ofruar gjithashtu ndihmë. Në total, rreth 50 të plagosur do të trajtohen jashtë Zvicrës.
Origjina e dyshuar e zjarrit
Hetimet paraprake tregojnë se zjarri shpërtheu në bar-diskotekën “Le Constellation”, ku fishekzjarrë të vendosur mbi shishe shampanje, të varura pranë tavanit, dyshohet se shkaktuan flakët. Prokurorja e Përgjithshme Béatrice Pilloud deklaroi se zjarri u përhap me shpejtësi të jashtëzakonshme. Janë analizuar pamje video dhe janë marrë në pyetje disa persona, përfshirë pronarët e lokalit, për të përcaktuar nëse do të hapet një hetim penal për vrasje të paqëllimshme.

(Burimi: SEIZ / El País)






