Viti 2026 ka nisur me një ngjarje tragjike për aktorin dhe regjisorin amerikan Tommy Lee Jones. Vajza e tij, Victoria Jones, u gjet e vdekur në një dhomë të hotelit Fairmont San Francisco, vetëm pak orë pasi kishte festuar Vitin e Ri. Ajo ishte 34 vjeçe.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, shërbimet e emergjencës u njoftuan pak para orës 03:00 të mëngjesit dhe mbërritën në hotel, ku ndodhej trupi i saj. Pas vlerësimit në vendngjarje, ndihmësit mjekësorë konstatuan vdekjen. Të gjitha të dhënat e mbledhura iu dorëzuan Policisë dhe Zyrës së Mjekut Ligjor për hetime të mëtejshme.
Shkaku i vdekjes mbetet ende i panjohur. Autoritetet kanë përjashtuar një akt kriminal, pasi nuk janë gjetur shenja dhune dhe nuk është raportuar prania e drogave në dhomën e hotelit. Megjithatë, mediat amerikane kanë bërë të ditur se audioja e telefonatës dretjuar 911- ës, e siguruar disa orë më vonë, përmendte një “kod 3 për mbidozë dhe çorientim”, duke lënë të hapur mundësinë e një mbidoze, pa konfirmim zyrtar.
Një tjetër element i paqartë mbetet fakti nëse Victoria Jones ishte mysafire e regjistruar në hotel dhe si kishte arritur në katin e 14-të, ku u gjet trupi i saj.
Victoria Jones ishte vajza e Tommy Lee Jones dhe bashkëshortes së tij të parë, Kimberlea Cloughley, me të cilën aktori ka edhe një djalë, Austin, sot 43 vjeç. Që në moshë të re, ajo shfaqi interes për aktrimin dhe pati një lidhje diskrete me industrinë e filmit. Ajo debutoi në Men in Black II, u shfaq në një episod të serialit One Tree Hill, dhe luajti në filmin The Three Burials of Melquiades Estrada, të drejtuar nga i ati. Roli i saj i fundit ishte në vitin 2014, në filmin The Homesman, gjithashtu nën regjinë e Tommy Lee Jones.
Pas kësaj, ajo zgjodhi të qëndronte larg vëmendjes së Hollivudit, megjithëse vazhdoi ta mbështeste publikisht të atin, fitues i çmimit Oscar për filmin The Fugitive. Në vitet e fundit, sipas mediave amerikane, ajo kishte pasur disa përplasje me ligjin, përfshirë arrestime për kundërvajtje, për të cilat ishte deklaruar e pafajshme.
Tommy Lee Jones kishte folur shpesh me krenari për vajzën e tij, duke e cilësuar si një aktore të talentuar dhe duke kujtuar episodet e hershme të bashkëpunimit të tyre profesional.
Hetimet për vdekjen e Victoria Jones vazhdojnë, ndërsa familja dhe opinioni publik presin sqarime të mëtejshme nga autoritetet.
(Burimi: El País)






