Gjykata Kushtetuese mes Kushtetutës dhe projekteve
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, zhvilloi ditёn e djeshme një takim me kryetaren e sapoemëruar të Gjykata Kushtetuese, Fiona Papajorgji, ku përveç urimit për detyrën e re, vuri theksin te përfshirja e këtij institucioni në projektet e ardhshme të Bashkimit Evropian.
Në deklaratën e tij publike, Gonzato nënvizoi se Gjykata Kushtetuese ka arritur një fazë stabiliteti institucional dhe mbetet kyçe për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe sundimin e ligjit. “Pata kënaqësinë të uroj Kryetaren e re të Gjykatës Kushtetuese dhe të rikonfirmoj angazhimin tonë për të mbështetur sundimin e ligjit në Shqipëri,” u shpreh ai, duke shtuar se institucioni po ruan cilësinë, transparencën dhe pavarësinë e tij.
Por vëmendjen e tërhoqi veçanërisht paralajmërimi se Gjykata Kushtetuese pritet të jetë përfituese e projekteve të ardhshme të BE-së, një formulim që hap diskutim mbi natyrën e kësaj mbështetjeje. Sipas Gonzatos, Bashkimi Evropian synon të ndihmojë Gjykatën në harmonizimin e praktikës gjyqësore me të drejtën evropiane. “Planifikojmë ta përfshijmë Gjykatën si përfituese në projektet tona të ardhshme dhe të mbështesim përpjekjet e saj për të harmonizuar më tej praktikën gjyqësore me të drejtën e BE-së,” deklaroi ambasadori.
Në një vend ku Gjykata Kushtetuese shihet tradicionalisht si rojtarja e fundit e Kushtetutës, ideja e “përfitimit nga projekte” – që zakonisht nënkuptojnë asistencë teknike, trajnime, vizita studimore apo shkëmbime eksperience – ngre pyetje mbi profesionalizmin e institucionit, por edhe mbi balancën mes pavarësisë kushtetuese dhe integrimit evropian. Mbështetja ndërkombëtare mbetet e rëndësishme, por po aq thelbësore është që roli themelor i Gjykatës, ai i arbitrit suprem kushtetues, të mos zbehet nga logjika e projekteve dhe programeve.
Nga ana tjetër, në një kohë kur Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë kërkesën e Kryeministrit lidhur me çështjen e Belinda Ballukut, takime të tilla nuk mund të shihen vetëm si vizita formale. Edhe pse zyrtarisht mbeten brenda kornizës së kortezisë diplomatike, momenti i zhvillimit të tyre lë hapësirë për interpretime. Pa u thënë hapur, mbështetja ndërkombëtare shpesh përcillet përmes gjesteve, fjalëve të zgjedhura dhe pranisë në kohë kyçe. Nëse këto sinjale lidhen apo jo me vendimmarrjet që priten, mbetet për t’u parë – pasi, në fund, Gjykata do të flasë vetëm përmes vendimit të saj.

Deklarata e plotё e Ambasadorit tё Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, sipas njoftimit tё Delegacionit nё rrjetin social Facebook
“Pata kënaqësinë të uroj Kryetaren e re të Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, dhe të rikonfirmoj angazhimin tonë për të mbështetur sundimin e ligjit në Shqipëri, duke theksuar rolin kyç të Gjykatës në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë. Gjykata ka arritur tashmë nivelin e nevojshëm të stabilitetit, me dy vende të lira që pritet të plotësohen shumë shpejt, ndërkohë që vijon të ruajë cilësinë, transparencën dhe pavarësinë si institucioni më i lartë i drejtësisë në vend. I konfirmova Kryetares Papajorgji se planifikojmë ta përfshijmë Gjykatën si përfituese në projektet tona të ardhshme dhe të mbështesim përpjekjet e saj për të harmonizuar më tej praktikën gjyqësore me të drejtën e BE-së. Bashkëpunimi me të gjithë sistemin gjyqësor shqiptar është thelbësor për integrimin evropian, dhe Gjykata Kushtetuese mbetet një partner qendror në këtë proces.”






