Ijet dhe legeni janë nyje kyçe që mbajnë peshën e trupit, por rrallëherë u japim vëmendjen që meritojnë. Shumë njerëz nuk e kuptojnë sa të rëndësishme janë derisa shfaqet dhimbja ose kufizimi i lëvizjes. Fizioterapisti Dr. Michael O’Brien nga Universiteti La Trobe në Melburn shpjegon se një frakturë e legenit, veçanërisht tek të moshuarit, mund të paraprijë një përkeqësim serioz të shëndetit, duke e bërë ruajtjen e shëndetit të kësaj nyje thelbësore për një pleqëri të shëndetshme.
Nyja topthore e kofshës është shumë e lëvizshme dhe mund të lëvizë në disa drejtime, ndaj është jetike që muskujt përreth saj të mbahen të fortë për ta mbështetur dhe për të ulur rrezikun e dhimbjes apo osteoartritit të kofshës. Kjo mund të arrihet me ushtrime të thjeshta në shtëpi, me pesha të lehta, pilates, ose lëvizje të kontrolluara që punojnë legenin në të gjitha planet e lëvizjes, jo vetëm para dhe mbrapa. Disa ushtrime bazë përfshijnë qëndrimin në njërën këmbë dhe rrotullimin e legenit majtas-djathtas, apo lëvizjen e lehtë të gjurit nga njëra anë në tjetrën duke qёndruar ulur, si dhe ushtrimet për muskujt glutealë të vitheve dhe muskujt stabilizues të barkut.
Fizioterapistja Dr. Jillian Eyles nga Universiteti i Sidneit thekson se ushtrimet e vogla dhe të thjeshta për vithet, edhe pse mund të duken monotone, janë ndër më efektivet për forcimin e muskujve. Ajo rekomandon ulje-ngritje, ulje të kontrolluara dhe ushtrimin “ura gluteale”, ku shtrihesh në shpinë, vendos shputat në dysheme dhe ngre legenin. Pilates dhe joga ndihmojnë gjithashtu në forcimin dhe stabilizimin e barkut.
Pavarësisht idesë së përhapur se 10,000 hapa në ditë janë qëllimi ideal, studimet tregojnë se përfitime të mëdha shëndetësore arrihen edhe me një numër më të ulët hapash. Profesoresha Rana Hinman nga Universiteti i Melburnit shpjegon se edhe rreth 7,000 hapa në ditë mund të sjellin përfitime të konsiderueshme për shëndetin kardiovaskular, vdekshmërinë dhe parandalimin e rënies funksionale me kalimin e kohës. Ajo thekson se edhe njerëzit e moshuar me dhimbje të legenit apo osteoartrit nuk duhet ta lënë aktivitetin fizik, pasi nuk ka prova që lëvizja e përkeqëson gjendjen e nyjeve apo përshpejton nevojën për operacione zëvendësimi. Aktiviteti duhet të përshtatet me atë që personi pëlqen dhe ndihet rehat ta bëjë.
Një tjetër aspekt thelbësor është parandalimi i rrëzimeve. Më shumë se 16,000 australianë mbi moshën 45 vjeç thyejnë legenin çdo vit; 90% kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale dhe rreth një e katërta e tyre vdesin brenda një viti pas frakturës së parë. Prandaj, shmangia e rënieve është vendimtare. Një nga gabimet më të zakonshme është përpjekja për të qëndruar në një këmbë gjatë veshjes së çorapeve apo këpucëve, gjë që me moshën bëhet e pasigurt. Ekspertët rekomandojnë të uleni gjatë këtyre veprimeve. Klinikat e parandalimit të rrëzimeve, të pranishme në shumë spitale, ofrojnë programe edukimi, fizioterapie dhe ushtrimesh për të ulur rrezikun e rënieve të përsëritura.
Ndaj nuk nevojiten ushtrime ekstreme apo pajisje të shtrenjta. Ushtrimet e vogla, të thjeshta dhe të rregullta janë çelësi për të mbrojtur legenin, për të ruajtur lëvizshmërinë dhe për të pasur një jetë aktive dhe të pavarur edhe në moshë të thyer.
(Burimi: Përshtatur nga The Guardian)






