Valët ekstreme të të nxehtit që përfshinë Australinë juglindore javën e kaluar kanë shkaktuar një nga ngjarjet më të rënda të vdekshmërisë së faunës së egër në vitet e fundit, duke ngritur alarmin e shkencëtarëve për pasojat gjithnjë e më të rënda të ndryshimeve klimatike.
Temperaturat që kapërcyen 42–43 gradë Celsius në Adelaide, Melbourne dhe Sydney për disa ditë radhazi krijuan kushte të padurueshme për jetën e egër. Studiuesit vlerësojnë se mijëra kafshë nuk arritën të mbijetonin këtë valë të të nxehtit, në një ngjarje që ekspertët e quajnë më seriozja që nga “vera e zezë” e viteve 2019–2020.
Profesor Justin Welbergen nga Universiteti Western Sydney shpjegon se temperatura mbi 42 gradë është prag kritik për shumë specie vendase. “Ngjarje të tilla të nxehtësisë mund të jenë katastrofike për jetën e egër. Ato janë një sinjal paralajmërues i qartë i asaj që sjell ngrohja globale: më shumë ditë ekstreme, më shumë humbje në natyrë,” tha ai.
Ekspertët theksojnë se nxehtësia nuk ndikon vetëm drejtpërdrejt, por edhe dëmton aftësinë e kafshëve për të gjetur ushqim dhe ujë, duke e bërë rikuperimin e popullatave shumë më të vështirë, veçanërisht për nënat dhe të vegjlit.
Veterinerët e jetës së egër raportojnë se kafshët fillimisht shfaqën shenja të forta stresi nga temperaturat ekstreme, ndërsa vullnetarët në terren u përballën me një ngarkesë të jashtëzakonshme pune. Sipas tyre, sektori i shpëtimit të faunës në Australi mbetet me burime të pamjaftueshme dhe pa një strategji kombëtare për përballimin e fatkeqësive klimatike.
Mijëra lakuriqë nate kanë ngordhur . Dhelprat fluturuese me kokë gri, të listuara si të cenueshme sipas ligjeve federale të mjedisit, ishin më të prekurat. Drejtuesi i Klinikës së Lakuriqëve të Natës Fly by Night në Melbourne, Tamsyn Hogarth, tha se vullnetarët panë mijëra lakuriqë nate të ngordhur në parkun Brimbank dhe qindra të tjerë në kampet në Yarra Bend dhe Tatura.
Shkencëtarët paralajmërojnë se ngjarje të tilla nuk janë më përjashtim, por pjesë e një modeli që do të përsëritet më shpesh me rritjen e temperaturave globale. “Këto janë sinjale të hershme të asaj që mund të ndodhë gjithnjë e më shpesh nëse kriza klimatike vazhdon,” tha Welbergen.
Autoritetet australiane pritet të përballen me presion në rritje për të investuar më shumë në mbrojtjen e jetës së egër dhe në strategji emergjente për valët ekstreme të të nxehtit.
(Burimi: The Guardian)






