Irani ka rihapur hapësirën e tij ajrore pas një mbylljeje gati pesë-orëshe që detyroi linjat ajrore të anulojnë, devijojnë ose vonojnë fluturime të shumta.
Sipas Administratës Federale të Aviacionit të SHBA-së, hapësira ajrore u mbyll të mërkurën në orën 17:15 ET (22:15 GMT), duke lejuar vetëm fluturimet ndërkombëtare për në dhe nga Irani me autorizim të posaçëm. Njoftimi u hoq pak para orës 22:00 ET (03:00 GMT), dhe sipas Flightradar24, fluturimet e para që rifilluan ishin të kompanive iraniane Mahan Air, Yazd Airways dhe AVA Airlines.
Zhvillimi vjen në një moment tensioni ekstrem të brendshëm dhe ndërkombëtar. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ishte siguruar nga “burime shumë të rëndësishme nga pala tjetër” se vrasjet dhe ekzekutimet e protestuesve iranianë janë ndalur.
“Ata kanë thënë se vrasjet kanë ndaluar dhe se ekzekutimet nuk do të ndodhin. Sot duhej të kishte shumë ekzekutime, por ato nuk do të ndodhin – dhe ne do ta zbulojmë,” tha Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se do të “vëzhgojë dhe do të shohë” nëse kërcënimi për veprim ushtarak amerikan mbetet mbi tryezë.
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi i tha Fox News-it se “nuk ka plan për varje” dhe se “situata është nën kontroll”.
Familja e Erfan Soltanit – protestuesi i parë i dënuar me vdekje që nga fillimi i trazirave – është njoftuar se ekzekutimi i tij është shtyrë.
Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të mblidhet të enjten pasdite për një seancë urgjente mbi situatën në Iran, me kërkesë të SHBA-së.
Në planin diplomatik, personeli amerikan dhe britanik është evakuuar nga disa vende të Lindjes së Mesme, ndërsa ambasada britanike në Teheran është mbyllur përkohësisht.
Spanja, Italia dhe Polonia u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre të largohen nga Irani. SHBA-të kanë lëshuar paralajmërime të ngjashme, duke sugjeruar edhe rrugë tokësore përmes Turqisë ose Armenisë.
Sipas organizatës Human Rights Activists me seli në SHBA, numri i të vdekurve nga shtypja e protestave në Iran ka arritur në 2,571 persona, ndërsa mbi 18,100 janë arrestuar.
Ministrat e jashtëm të vendeve të G7 deklaruan se janë “të përgatitur të vendosin masa shtesë kufizuese” ndaj Iranit për përdorimin e dhunës, vrasjen e protestuesve, ndalimet arbitrare dhe taktikat e frikësimit.
Trump hedh dyshime për opozitën iraniane
Presidenti amerikan komentoi gjithashtu figurën e opozitës Reza Pahlavi, djalit të shahut të rrëzuar në vitin 1979. “Ai duket shumë i sjellshëm, por nuk e di se si do të pritej brenda vendit të tij. Nuk jemi ende në atë pikë,” tha Trump për Reuters, duke shtuar se ekziston mundësia që regjimi iranian të shembet, por pa garantuar mbështetje të plotë amerikane për Pahlavin.
Një qetësi e brishtë
Teherani këmbëngul se situata është stabilizuar. “Tani ka qetësi. Le të shpresojmë që mençuria të mbizotërojë dhe të mos përfundojmë në një situatë tensioni të lartë që do të ishte katastrofike për të gjithë,” tha Araghchi.
Megjithatë, me hapësirën ajrore që sapo është rihapur, evakuime diplomatike në vazhdim dhe paralajmërime për masa ndërkombëtare shtesë, kriza iraniane mbetet larg zgjidhjes.
(Burimi: Reuters / The Guardian)






