Udhëheqësja e opozitës venezueliane, María Corina Machado, i ka dorëzuar presidentit amerikan Donald Trump medaljen e saj të artë të Çmimit Nobel për Paqen gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, pothuajse dy javë pasi Trump urdhëroi kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro. Machado, e cila fitoi çmimin vitin e kaluar për luftën e saj kundër “shtetit brutal dhe autoritar” të Maduros, u tha gazetarëve se ia kishte dhënë medaljen Trumpit “në njohje të angazhimit të tij unik ndaj lirisë sonë”. Disa orë më vonë, Trump shkroi në Truth Social se Machado “më dhuroi çmimin e saj Nobel për Paqen për punën që kam bërë. Një gjest kaq i mrekullueshëm respekti të ndërsjellë.” Një fotografi e publikuar nga Shtëpia e Bardhë tregonte presidentin amerikan me medaljen e vendosur në një kornizë të madhe ari, ku poshtë saj shkruhej: “Dorëzuar si një simbol personal mirënjohjeje në emër të popullit venezuelian në njohje të veprimit parimor dhe vendimtar të Presidentit Trump për të siguruar një Venezuelë të lirë.”
Reagimi i organizatorëve të Nobelit nuk vonoi. Ata postuan në platformën X: “Një medalje mund të ndryshojë pronarët, por titulli i një laureati të Çmimit Nobel për Paqen jo.” Kjo erdhi pasi Machado i kishte thënë Fox News se dëshironte ta “ndante” çmimin me Trump. Komiteti i Nobelit sqaroi se çmimi nuk mund të ndahet apo transferohet dhe se vendimi është përfundimtar dhe i vlefshëm përgjithmonë. Pavarësisht kësaj, Machado vazhdoi me gjestin e saj simbolik, që analistët e shohin si përpjekje për të ringjallur shpresat e lëvizjes së saj për të marrë pushtetin, tani që Maduro është jashtë loje dhe i burgosur në Nju Jork.
Partia e Machados besohet gjerësisht se fitoi ndaj Maduros në zgjedhjet presidenciale të Venezuelës në vitin 2024. Mbështetësit e saj prisnin që Trump ta njihte atë si udhëheqësen e re të vendit pas rrëzimit të Maduros, por në vend të kësaj ai ia dha mbështetjen zëvendëspresidentes Delcy Rodríguez, e cila më pas u betua si presidente në detyrë. Vendimi i Trump për të mos mbështetur Machadon thuhet se erdhi si pasojë e marrëdhënieve të përkeqësuara mes saj dhe anëtarëve të ekipit të tij, si dhe shqetësimeve se lëvizja e saj nuk do të ishte në gjendje të kontrollonte situatën e sigurisë në Venezuelë. Vetë Trump kishte deklaruar më herët se Machado ishte “një grua shumë e mirë”, por “nuk ka mbështetjen ose respektin brenda vendit për të marrë pushtetin”, ndërsa për Rodríguez u shpreh se “ajo është në thelb e gatshme të bëjë atë që ne mendojmë se është e nevojshme për ta bërë Venezuelën përsëri të madhe.” Ai gjithashtu uli pritshmёritё për zgjedhje të shpejta duke thënë se “së pari duhet ta rregullojmë vendin” dhe se “nuk ka asnjë mënyrë që njerëzit të mund të votojnë” në kushtet aktuale.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u tha gazetarëve se vlerësimi i presidentit ishte i bazuar në realitetet në terren dhe në informacionet e ekipit të sigurisë kombëtare, duke shtuar se mendimi i tij për këtë çështje nuk ka ndryshuar. Ajo konfirmoi se Rodríguez dhe anëtarë të tjerë të administratës së saj të përkohshme janë në komunikim të vazhdueshëm me homologët amerikanë dhe po bashkëpunojnë ngushtë, duke përmendur edhe lirimin e pesë qytetarëve amerikanë nga burgjet venezueliane këtë javë. Leavitt tha se Trump është i përkushtuar që “një ditë” të shohë zgjedhje të reja në Venezuelë, por pa dhënë një afat konkret.
Ndërkohë, Delcy Rodríguez gjatë fjalimit vjetor për gjendjen e kombit në Karakas, të mbajtur në emër të Maduros, e quajti ndërhyrjen e Trump “njollën më të madhe ndonjëherë në marrëdhëniet SHBA–Venezuelë” dhe deklaroi se Uashingtoni kishte “kaluar një vijë të kuqe” duke pushtuar vendin, duke vrarë venezuelianë dhe duke “rrëmbyer” presidentin. Megjithatë, ajo shprehu gatishmërinë për të udhëtuar në Uashington për t’u përfshirë në një “betejë diplomatike” me SHBA-në dhe tha se Venezuela ka të drejtë të ketë marrëdhënie me Kinën, Rusinë, Kubën, Iranin dhe gjithashtu me Shtetet e Bashkuara, duke shtuar se nëse një ditë shkon në Uashington si presidente në detyrë, do të shkojë “duke qëndruar në këmbë, jo duke u zvarritur”, pavarësisht pretendimit të fundit të Trump se ai po e “drejton” Venezuelën.
Machado nuk është laureatja e parë që heq dorë fizikisht nga medalja e saj Nobel. Ernest Hemingway ia besoi medaljen Kishës Katolike në Kubë në vitin 1954, Dmitry Muratov e nxori në ankand medaljen e tij në vitin 2022 për të mbledhur fonde për fëmijët refugjatë ukrainas, ndërsa Leon Lederman e shiti medaljen e tij pasi kishte qëndruar për 20 vjet në një raft. Megjithatë, Machado konsiderohet personi i parë që e dhuron medaljen e Nobelit për arsye kaq të hapura politike. Ngjarja mbetet një episod i fortë simbolik në krizën e thellë politike venezueliane dhe në përplasjen e interesave që po formësojnë të ardhmen e vendit.

(Burimi: The Guardian)






