Qëndrimi në njërën këmbë mund të duket si një gjest i thjeshtë, por në fakt është një nga matësit më të saktë të shëndetit fizik dhe mendor ndërsa plakemi. Kur jemi të rinj, mbajtja e ekuilibrit me një këmbë nuk kërkon shumë përpjekje. Aftësia jonë për ta bërë këtë piqet rreth moshës 9–10 vjeç, arrin kulmin në fund të të 30-ave dhe më pas fillon të bjerë gradualisht. Nëse jeni mbi 50 vjeç dhe e keni të vështirë të qëndroni në një këmbë për më shumë se disa sekonda, kjo mund të tregojë shumë për mënyrën se si po plaket trupi juaj.
Por lajmi i mirë është se kjo aftësi mund të stërvitet – dhe përfitimet janë të mëdha. Stërvitja e ekuilibrit në një këmbë ndihmon në forcimin e muskujve, përmirëson kujtesën, mbron trurin dhe ul ndjeshëm rrezikun e rrëzimeve në moshë të thyer.
Mjekët e përdorin testin e qëndrimit në një këmbë si tregues të shëndetit sepse lidhet ngushtë me sarkopeninë – humbjen progresive të masës muskulore me moshën. Pas të 30-ave, ne humbasim deri në 8% të muskujve për çdo dekadë. Deri në moshën 80 vjeç, gjysma e njerëzve mund të kenë sarkopeni klinike. Kjo ndikon në forcën e trupit, kontrollin e sheqerit në gjak, imunitetin dhe, mbi të gjitha, në ekuilibër. Ata që praktikojnë rregullisht qëndrimin në një këmbë janë më pak të rrezikuar nga ky dobësim muskulor, sepse ky ushtrim i thjeshtë mban në formë këmbët dhe muskujt e vitheve.
Ekuilibri nuk është vetëm çështje muskujsh. Ai është edhe pasqyrë e shëndetit të trurit. Qëndrimi në një këmbë kërkon që truri të përpunojë njëkohësisht informacion nga sytë, sistemi vestibular në veshin e mesëm dhe rrjeti nervor që ndien pozicionin e trupit. Me kalimin e moshës, këto sisteme degradojnë me ritme të ndryshme, ndaj aftësia për të ruajtur ekuilibrin tregon sa mirë funksionojnë qendrat kyçe të trurit që kontrollojnë reagimin, orientimin hapësinor dhe kryerjen e detyrave të përditshme.
Humbja e ekuilibrit është një nga arsyet kryesore të rrëzimeve në moshën e tretë. Të dhënat nga Qendrat Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve tregojnë se rrëzimet aksidentale janë shkaku numër një i lëndimeve tek personat mbi 65 vjeç. Studiuesit shpjegojnë se rrëzimet shpesh nuk ndodhin nga mungesa e forcës, por nga reagimi i ngadaltë. Nëse pengoheni, është vendimtare qё truri juaj tё arrijё ta lëvizë këmbën mjaft shpejt për të shmangur rënien. Dhe pikërisht kjo aftësi reflektohet në testin e qëndrimit në njërёn këmbë.
Madje, studimet e fundit e lidhin këtë test edhe me rrezikun e vdekjes së parakohshme. Një studim i vitit 2022 zbuloi se personat që nuk arrinin të qëndronin në një këmbë për 10 sekonda kishin 84% më shumë gjasa të vdisnin nga çdo shkak gjatë shtatë viteve në vijim. Një tjetër studim me 2,760 persona në të 50-at tregoi se testi i ekuilibrit në një këmbë ishte më informues për rrezikun e sëmundjeve sesa forca e kapjes apo testi i ulje-ngritjes nga karrigia. Ata që qëndronin vetëm dy sekonda në një këmbë kishin trefish rrezik vdekjeje krahasuar me ata që qëndronin mbi 10 sekonda.
Për fat të mirë, truri dhe trupi mund të stërviten. Ushtrimet me një këmbë jo vetëm forcojnë muskujt e barkut, vitheve dhe këmbëve, por përmirësojnë edhe strukturën dhe funksionin e trurit, veçanërisht zonat që lidhen me koordinimin shqisor-motorrik dhe orientimin hapësinor. Studime kanë treguar se balancimi në një këmbë aktivizon korteksin paraballor dhe mund të përmirësojë kujtesën e punës edhe tek të rriturit e shëndetshëm.
Ekspertët rekomandojnë që çdo person mbi 50 vjeç të testojë veten: a mund të qëndroni me njërёn këmbë për 10 sekonda? Ky ushtrim mund të futet lehtësisht në rutinën e përditshme — gjatë larjes së dhëmbëve, larjes së enëve apo ndërsa prisni kafen. Sugjerohet të praktikohet si zbathur ashtu edhe me këpucë, sepse trupi reagon ndryshe në secilin rast.
Një ushtrim i vogël, një përfitim i madh: vetëm 10 sekonda në një këmbë mund të bëjnë diferencën mes një plakjeje të brishtë dhe një trupi e truri të fortë.
(Burimi: BBC)






