Singapori ka ndërmarrë një nga fushatat më të ashpra në botë kundër cigareve elektronike, duke vendosur dënime ekstreme që përfshijnë burgim, qendra rehabilitimi shtetërore dhe madje rrahje me kamzhik për shkelësit. Cigaret elektronike janë të ndaluara në vend që nga viti 2018, por vitet e fundit në tregun e zi janë shfaqur pajisje të mbushura me drogë, të njohura si K-pods, duke alarmuar autoritetet e një shteti të njohur për tolerancën zero ndaj narkotikëve.
K-pods përmbajnë etomidat, një substancë anestetike me efekt të ngjashëm me ketaminën. Video të të rinjve që humbnin ndjenjat në publik pas përdorimit të tyre u bënë virale, duke shkaktuar tronditje shoqërore. Një test laboratorik i korrikut të kaluar zbuloi se rreth një e treta e cigareve elektronike të sekuestruara përmbanin këtë substancë.
Kryeministri Lawrence Wong reagoi duke e shpallur përdorimin e cigareve elektronike “një problem droge kombëtare”. Ai paralajmëroi se rreziku real nuk është pajisja, por substanca që mund të futet brenda saj – sot etomidat, nesër potencialisht droga edhe më të rrezikshme.
Sipas ligjit aktual, çdo person i kapur me cigare elektronike në Singapor mund të përballet me burg, dërgim në qendra rehabilitimi dhe në disa raste edhe rrahje me kamzhik – një dënim fizik i zbatuar zyrtarisht në vend. Shitësit e cigareve elektronike me drogë rrezikojnë deri në 20 vjet burg dhe deri në 15 goditje me kamzhik. Të huajt përballen me të njëjtat ndëshkime dhe mund të deportohen.
Masa tё forta do zbatohen edhe në shkolla. Nxënësit e kapur me cigare elektronike mund të pezullohen, përjashtohen dhe t’i nënshtrohen ndëshkimit fizik. Në të gjithë ishullin janë vendosur “kosha amnistie” ku qytetarët mund t’i dorëzojnë pajisjet pa penalizim. Ndërkohë, policia kryen kontrolle të rastësishme në stacione autobusi dhe metroje, ndërsa është hapur edhe një linjë telefonike raportimi — mbi 2,600 denoncime u regjistruan vetëm në nëntë javë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka quajtur këtë ofensivë një “pikë kthese globale” që mund të ndikojë politikat ndërkombëtare të duhanit dhe drogës për dekadën e ardhshme.
Por qasja e Singaporit bie në kontrast të fortë me vende si Mbretëria e Bashkuar, ku cigaret elektronike shihen si mjet për të ndihmuar lënien e duhanit. Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë britanik i konsideron ato më pak të dëmshme se cigaret tradicionale, edhe pse jo plotësisht të sigurta.
Eksperti britanik Peter Hajek argumenton se ndalimi total i cigareve elektronike dëmton shëndetin publik, pasi u heq duhanpirësve një alternativë më pak të rrezikshme. Ai e krahason ndalimin e përgjithshëm me “ndalimin e valixheve sepse disa njerëz transportojnë drogë”.
Nga ana tjetër, OBSH dhe CDC amerikane theksojnë se efektet afatgjata të cigareve elektronike ende nuk janë kuptuar plotësisht dhe se ka prova qё mund të dëmtojnë mushkëritë dhe enët e gjakut.
Qeveria e Singaporit këmbëngul se kapsulat e cigareve elektronike mund të përmbajnë nivele shumë të larta nikotine, duke e bërë varësinë edhe më të fortë se cigaret klasike.
Aktualisht, të paktën 46 vende në botë kanë ndaluar shitjen e cigareve elektronike, ndërsa 82 të tjera kanë vendosur kufizime. Britania po përgatit ligje më të rrepta për reklamat dhe përdorimin nga të miturit. Australia i lejon vetëm me recetë mjekësore. Belgjika ka ndaluar cigaret elektronike njëpërdorimshe. Malajzia planifikon ndalim total këtë vit.
Ndërkohë, një përdorues i intervistuar nga BBC e përmblodhi situatën me një frazë:
“Çdo ves është si buburrec. Mund të përpiqesh ta vrasësh, por nuk zhduket kurrë plotësisht.”
Singapori, megjithatë, duket i vendosur të provojë të kundërtën — me ligj, forcë dhe disiplinë ekstreme.
(Burimi: BBC)






