Furnizuesit e pjesëve për çipin e inteligjencës artificiale H200 të Nvidia-s kanë pezulluar prodhimin, pasi autoritetet doganore kineze kanë bllokuar hyrjen në vend të dërgesave të këtyre procesorëve të sapomiratuar për eksport nga qeveria amerikane. Lajmi është raportuar nga Financial Times, duke cituar burime të njohura me çështjen, ndërsa Reuters thotë se nuk ka mundur ende ta verifikojë në mënyrë të pavarur.
Nvidia nuk ka komentuar zyrtarisht, por raporti thotë se kompania kishte marrë mbi një milion porosi nga klientë kinezë dhe furnizuesit kishin punuar pa ndërprerje që nga muaji mars për të përgatitur dërgesat.
Sipas burimeve të Reuters, autoritetet doganore kineze u kanë njoftuar këtë javë agjentëve se çipat H200 nuk lejohen të hyjnë në Kinë. Paralelisht, zyrtarë qeveritarë kanë thirrur kompani vendase të teknologjisë për t’i paralajmëruar që të shmangin blerjen e këtyre çipave, përveç rasteve kur janë absolutisht të domosdoshëm.
Burimet, që folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së temës, thanë se autoritetet nuk kanë dhënë arsye zyrtare për këtë vendim dhe nuk është e qartë nëse bëhet fjalë, për një ndalim formal apo një masë të përkohshme.
Çipi H200 – procesori i dytë më i fuqishëm i inteligjencës artificiale që prodhon Nvidia – është kthyer në një nga pikat më të nxehta të përplasjes mes SHBA-së dhe Kinës në luftën globale për dominim në teknologjinë e AI-së.
Ka kërkesë të lartë nga kompanitë kineze, por mbetet e paqartë nëse Pekini synon:
– të ndalojë importin për të nxitur zhvillimin e çipave vendas;
– të shqyrtojë kufizime të reja; apo
– të përdorë situatën si kartë negociuese në raport me Uashingtonin.
Nëse ndalimi konfirmohet, situata bëhet edhe më komplekse. Administrata Trump kishte lejuar eksportin e H200 drejt Kinës, edhe pse çipat janë projektuar në SHBA dhe prodhuar në Tajvan, me kusht qё qeveria amerikane të merrte një përqindje nga fitimet.
Më pas, Uashingtoni vendosi që çipat të mos dërgohen direkt nga Tajvani në Kinë, por të kalojnë fillimisht në një laborator në SHBA për testim – manovër që lejon vendosjen e një tarife të tërthortë prej 25% mbi shitjet. E njëjta tarifë është aplikuar edhe për çipin MI325X të AMD-së.
Analistët janë të ndarë nëse lejimi i shitjes së H200 në Kinë është strategjikisht lёvizja e duhur. Disa argumentojnë se kjo e mban industrinë kineze të varur nga teknologjia amerikane dhe ngadalëson zhvillimin e alternativave vendase. Të tjerë paralajmërojnë se H200 është aq i fuqishëm sa mund të përdoret edhe për aplikime ushtarake, potencialisht kundër SHBA-së ose aleatëve të saj në të ardhmen.
Ngërçi aktual tregon se lufta për kontrollin e teknologjisë së inteligjencës artificiale tashmë ka kaluar nga tregu – në fushën e sigurisë dhe gjeopolitikës.
(Burimi: The Guardian/Reuters)






