Zgjedhjet presidenciale në Portugali kanë prodhuar një rezultat të pazakontë dhe historik: për herë të parë pas gati katër dekadash, vendi shkon në raund të dytë votimi. Kandidati i Partisë Socialiste, Antonio José Seguro, ka dalë i pari në raundin e parë me rreth 31% të votave, por pa arritur shumicën absolute të nevojshme për fitore direkte.
Surpriza e madhe e këtyre zgjedhjeve është André Ventura, lideri i partisë së ekstremit të djathtë Chega, i cili ka marrë rreth 27% tё votave, duke siguruar vendin e dytë dhe një përballje direkte me kandidatin socialist në balotazh më 8 shkurt 2026. Kjo është hera e parë që një forcë e ekstremit të djathtë arrin në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Portugali.
Kandidati i qendrës së djathtë tradicionale, Luís Marques Mendes, ka mbetur i treti dhe jashtë garës, çka tregon një fragmentim të fortë të skenës politike portugeze dhe rritje të mbështetjes për forcat populiste.
Edhe pse posti i presidentit në Portugali ka rol kryesisht ceremonial, ai mban kompetenca të rëndësishme politike: ka veto pezulluese pёr ligjet e miratuara, shpërndan parlamentin dhe thërret zgjedhje të parakohshme në rast krizash institucionale. Për këtë arsye, balotazhi pritet të ketë ndikim në stabilitetin politik të vendit.
Fushata e André Ventura është shoqëruar me retorikë të ashpër kundër emigracionit dhe me slogane që kanë ngjallur polemika në opinionin publik. Ndërkohë, analistët vlerësojnë se në raundin e dytë shumica e forcave politike tradicionale do të mbështesin kandidatin socialist për të bllokuar ardhjen e ekstremit të djathtë në presidencë.
Pjesëmarrja e votuesve ka qenë më e larta në dy dekada, një sinjal se qytetarët portugezë e shohin këtë proces si vendimtar për drejtimin politik të vendit.
Balotazhi i 8 shkurtit pritet të jetë një test i rëndësishëm jo vetëm për Portugalinë, por edhe për trendin më të gjerë europian, ku forcat e ekstremit të djathtë po fitojnë terren në disa shtete.






