E hëna nis me dy zhvillime që vendosin njëkohësisht në qendër të vëmendjes drejtësinë dhe politikën.
Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pritet të zhvillohet sot seanca paraprake ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe personave të tjerë të përfshirë në dosjen hetimore. Trupa gjykuese do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim të plotë apo do të kthehet për plotësim hetimesh.
Seanca e mëparshme u shty për shkak të mungesës së Veliajt në sallë. Sipas pretendimeve të tij, paraburgimi i Durrësit nuk e kishte shoqëruar drejt GJKKO-së, ndërsa mungonin edhe disa nga avokatët mbrojtës. Më herët, Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesat e Veliajt për të pasur akses të plotë në dosje gjatë qëndrimit në paraburgim, si edhe kërkesën për të qëndruar jashtë kafazit të xhamit gjatë seancave.
Kryebashkiaku i Tiranës u arrestua në zyrën e tij më 10 shkurt 2025, nën akuzat për disa vepra penale të rënda, së bashku me bashkëshorten dhe bashkëpunëtorë të tjerë. Seanca e sotme shihet si një moment kyç për fatin procedural të çështjes.
Ndërkohë, po sot Parlamenti rikthehet në punë. Deputetët mblidhen sot për nisjen e sesionit të ri parlamentar. Fillimisht do të zhvillohet mbledhja e Konferencës së Kryetarëve për të miratuar kalendarin dhe programin e punës për pesë javët në vijim, ndërsa në orën 17:00 është parashikuar seanca plenare.
Në axhendë mbeten dy reforma të mëdha: ajo zgjedhore dhe ajo territoriale. Diskutimet kanë nisur prej muajsh, por opozita i ka bojkotuar që prej dhjetorit. Mazhoranca ka paralajmëruar se nëse nuk ka rikthim në tryezën e dialogut, do të ecë përpara e vetme, duke zhbërë formulën e konsensusit.
Kështu, dita hapet me një skenë të dyfishtë: drejtësia vendos për një nga figurat më të rëndësishme të pushtetit vendor, ndërsa politika përgatitet për betejat e radhës në Kuvend. Dy fronte, një javë vendimtare…






