Japonia hyn në një fushatë të parakohshme zgjedhore me ekonominë në qendër të betejës politike. Kryeministrja Sanae Takaichi njoftoi se do të shpërndajë parlamentin dhe do të thërrasë zgjedhje të përgjithshme, duke premtuar pezullimin për dy vjet të taksës 8% mbi ushqimet — një hap që synon të lehtësojë barrën e familjeve, por që njëkohësisht rrezikon të hapë një gropë të madhe në financat publike të vendit.
Japonia aktualisht aplikon taksë konsumi 8% për ushqimet dhe 10% për mallra e shërbime të tjera. Këto të ardhura janë jetike për financimin e sistemit të mirëqenies sociale, veçanërisht në një vend me popullsi që plaket me shpejtësi. Takaichi argumenton se përjashtimi dyvjeçar i ushqimeve nga taksa do të zbusë goditjen e kostos së jetesës, duke premtuar se masa nuk do të financohet me borxh të ri, por me rishikim të subvencioneve dhe ndryshim të kursit fiskal. “Administrata ime do t’i japë fund politikës tepër të shtrënguar fiskale dhe mungesës së investimeve për të ardhmen,” deklaroi ajo.
Por tregjet financiare reaguan menjëherë. Perspektiva e uljes së taksës dhe pritshmëritë se Takaichi do të përdorë një fitore zgjedhore për të zbatuar politika fiskale ekspansioniste çuan rendimentin e obligacionit 10-vjeçar japonez në 2.275% — niveli më i lartë në 27 vite. Ekonomistët paralajmërojnë se lëvizja mund të përshpejtojë inflacionin dhe të tronditë më tej tregjet e borxhit.
Inflacioni në Japoni ka qëndruar mbi objektivin 2% të Bankës së Japonisë për gati katër vjet, i nxitur kryesisht nga rritja e çmimeve të ushqimeve. Kjo ka shtyrë edhe partitë opozitare të premtojnë ulje ose heqje të taksës së konsumit përpara zgjedhjeve të 8 shkurtit. Një parti e re opozitare, e krijuar javën e kaluar, ka shkuar edhe më tej, duke propozuar eliminimin e plotë të taksës mbi ushqimet dhe krijimin e një fondi sovran pasurie për ta financuar atë.
Partia Liberale Demokratike e Takaichit kishte kundërshtuar prej kohësh ide të tilla, duke argumentuar se ulja e taksës do të gërryente besimin e tregjeve në përpjekjet e Japonisë për të stabilizuar financat e saj. Sipas të dhënave qeveritare, vetëm heqja e taksës 8% mbi ushqimet do t’i kushtonte buxhetit rreth 5 trilionë jen në vit — afërsisht sa gjithë shpenzimet vjetore të Japonisë për arsimin.
Analistët paralajmërojnë se një ulje e përhershme do të rriste rrezikun e një shitjeje masive të obligacioneve, veçanërisht tani që qeveria e Takaichit ka hartuar një buxhet rekord prej 783 miliardë dollarësh për vitin e ardhshëm fiskal, krahas një pakete të madhe stimulimi për të përballuar koston në rritje të jetesës.
Zgjedhjet e ardhshme pritet të jenë një referendum mbi drejtimin ekonomik të Japonisë: lehtësim për familjet sot, apo disiplinë fiskale për të mos rrezikuar të ardhmen.
(Burimi: Reuters / CNN)






