Me të njëjtën retorikë të ekzaltuar nga ftesa e Presidentit Donald Trump për të qenë pjesë e Bordit të Paqes, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar në Facebook një status pothuajse identik në frymë me atë që postoi kryeministri shqiptar Edi Rama disa ditë më parë.
Osmani njoftoi se ka marrë një letër zyrtare nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, me të cilën Kosova ftohet të bëhet anëtare themeluese e “Boardit tё Paqes”, një nismë e re ndërkombëtare e shpallur nga administrata Trump si pjesë e planit për “paqen globale”.
“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt”, shkruan Osmani, duke e shoqëruar postimin me fotografinë e letrës zyrtare nga Shtëpia e Bardhë.
Në mesazhin e saj, presidentja e Kosovës thekson se Kosova qëndron si aleat i palëkundur i SHBA-së, duke rikujtuar rolin e Amerikës në çlirimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.
“Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej”, shkruan Osmani, duke e cilësuar iniciativën si “historike”.
Letra e publikuar mban stemën e Shtëpisë së Bardhë dhe datën 20 janar 2026. Në të, Presidenti Trump e fton zyrtarisht Kosovën të marrë pjesë si shtet themelues në strukturën e re ndërkombëtare – që sipas tij synon të vendosë themele të reja për paqe të qëndrueshme globale.
Ftesa ndaj Kosovës vjen vetëm pak ditë pasi edhe Shqipëria mori të njëjtin njoftim dhe kryeministri Edi Rama e publikoi me entuziazëm në rrjetet sociale, duke e cilësuar si “një nder të jashtëzakonshëm”.
Ngjashmëria e toneve mes dy postimeve – Ramës dhe Osmanit – nuk ka kaluar pa u vënë re në opinionin publik, ku komentuesit kanë vënë në dukje të njëjtën gjuhë ceremoniale dhe të njëjtin interpretim politik të ftesës.
Megjithatë, deri tani nuk ka detaje shtesë se çfarë kompetencash reale do të ketë Bordi i Paqes, si do të funksionojë, apo lista e plotё e shteteve të tjera qё janë ftuar si anëtare themeluese. Nisma mbetet ende në fazën e shpalljes politike nga administrata Trump.
Për Kosovën, ftesa shihet si një tjetër sinjal i afërsisë politike me Uashingtonin, veçanërisht në një moment kur rajoni përballet me pasiguri gjeopolitike dhe me vakum institucional të brendshëm.
Në fund të postimit të saj, Osmani shkruan:
“Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes – dhe ne jemi gati.”
Statusi i saj është shoqëruar me reagime të shumta mbështetëse, por edhe me skepticizëm nga ata që kërkojnë më shumë qartësi mbi përmbajtjen reale të kësaj nisme.







