Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka konfirmuar se bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë do të zhvillohen në format trepalësh, mes Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Takimi pritet të mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe, pas një takimi që Zelensky zhvilloi me presidentin amerikan Donald Trump në Davos.
Ndërsa diplomacia ndërkombëtare duket se ka hyrë në një fazë intensive, Trump e cilësoi takimin me Zelenskyn “të mirë”, ndërkohë që i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, u nis drejt Moskës për bisedime me presidentin rus Vladimir Putin. Witkoff u shpreh optimist se një marrëveshje është e arritshme, duke thënë se palët tashmë kanë identifikuar thelbin e mosmarrëveshjes.
Më vonë, vetë Zelensky e bëri të qartë se nyja kryesore mbetet statusi i Ukrainës lindore. “Gjithçka ka të bëjë me tokën. Kjo është çështja që ende nuk është zgjidhur,” deklaroi ai për gazetarët në Forumin Ekonomik Botëror. Ai shtoi se bisedimet trepalëshe mund të ofrojnë variante kompromisi, por theksoi se “rusët duhet të jenë të gatshëm për kompromise, jo vetëm Ukraina”.
Sipas burimeve diplomatike, propozimi amerikan për rajonin industrial të Donbasit parashikon një zonë të demilitarizuar dhe të lirë ekonomikisht, në këmbim të garancive të sigurisë për Kievin.
Zelensky njoftoi gjithashtu se ka arritur një marrëveshje paraprake me Trump për garancitë e ardhshme të sigurisë së SHBA-së ndaj Ukrainës, në rast të një marrëveshjeje paqeje. Detajet ende nuk janë bërë publike, por ai sqaroi se çdo marrëveshje do të duhet të miratohet si nga Kongresi amerikan ashtu edhe nga parlamenti ukrainas.
Ndërkohë, presidenti ukrainas kritikoi aleatët evropianë për mungesë vendosmërie politike ndaj Rusisë, duke nënvizuar se “asnjë garanci sigurie nuk funksionon pa Shtetet e Bashkuara”.
Bisedimet në Emiratet e Bashkuara Arabe pritet të jenë testi më serioz diplomatik deri tani për mbylljen e luftës – dhe për përcaktimin e kufijve të rinj të paqes në Evropën Lindore.
(Burimi: BBC)






