Një kërkesë-padi e beftë “postohet” nga IEVP Durrës, atje ku prej pothuajse një viti Erion Veliaj qëndron i izoluar me urdhër të SPAK dhe GJKKO.
Prokurori Ols Dado është “hetuesi” që i bëri gjëmën. Debati i vjetër, i kthyer nga gjyqësor në personal, duket se ka rifilluar.
Në padinë e Erion Veliajt kërkohet shfuqizimi i aktit të emërimit si prokuror të “noterit” Dado.
Sipas dokumentit të depozituar në Gjykatën Administrative, Veliaj pretendon se në momentin e emërimit, Ols Dado nuk plotësonte kriteret ligjore për t’u bërë prokuror, në vitin 2008.
Në padi kërkohet që dekreti i Presidentit të Republikës për emërimin e Dados të shpallet “absolutisht i pavlefshëm”, ndërsa Këshilli i Lartë i Prokurorisë të detyrohet ta largojë atë nga detyra.
Argumenti kryesor është se mungesa e kushteve ligjore e bën aktin e emërimit “nul që nga fillimi”, çka sipas Veliajt hedh hije pavlefshmërie mbi çdo veprim procedural të kryer nga Dado, përfshirë hetimin, masat e sigurisë dhe kufizimet ndaj tij si kryebashkiak.
Padia përfshin edhe institucionin e Presidentit të Republikës, si organ që ka firmosur dekretin e emërimit, duke e konsideruar bashkëpërgjegjës për një akt të nxjerrë, sipas pretendimit, në kundërshtim me ligjin dhe procedurën.
Lëvizja vjen pas një viti përplasje të ashpra publike mes Veliajt dhe prokurorit që drejton hetimin ndaj tij, përplasje që ka kaluar shpesh nga sfera gjyqësore në atë personale dhe politike.
A është kjo një lëvizje e dëshpëruar apo një taktikë e mirë-menduar, në kohën kur Veliaj duhet të përballet me akuzat që ka ngritur “noteri” i tij Ols Dado në sallën e gjyqit?
A korrespondon kjo lëvizje me atë që ai pret – “lirimin” nga burgu i Durrësit, për të shkuar më pas çdo ditë në Gjykatën Administrative, aty ku do të kërkojë “kokën” e Dados?
Kjo do të shihet në muajt që pasojnë…







