Pas më shumë se një dekade heshtjeje muzikore, Liza Minnelli ka publikuar këngën e saj të parë të re në 13 vjet. Projekti i ri shënon një hap të papritur drejt teknologjisë moderne: kënga është realizuar me ndihmën e inteligjencës artificiale për aranzhimin muzikor, ndërsa vokali mbetet plotësisht i Minnellit.
Kënga titullohet “Kids, Wait Til You Hear This”, dhe sjell ikonën 79-vjeçare në një territor të ri muzikor – zhanrin “deep house”, ku ajo ndërthur kёngёn mbi një bazë ritmike elektronike.
Kёnga e fundit qё ka publikuar Minnelli ka qёnё nё vitin 2013, kur interpretoi një këngë për serialin amerikan Smash. Në një postim në Facebook, ajo shprehu besim të madh në potencialin e inteligjencës artificiale në muzikë dhe e quajti kompaninë që qëndron pas projektit, ElevenLabs, “një gjigant teknologjik me vlerë gjashtë miliardë dollarë që bën gjëra të mrekullueshme”.
Ajo theksoi se kompania nuk ka klonuar apo kopjuar zërin e saj: “Ne përdorëm aranzhime me inteligjencë artificiale, jo vokale të krijuara nga IA. Të gjitha britmat janë të miat!”, shkroi Minnelli, duke nënvizuar se projekti respekton zërin, zgjedhjet dhe pronësinë e artistit.
Në deklaratën për shtyp, ajo tha se gjithmonë ka besuar që muzika ka të bëjë me lidhjen emocionale dhe të vërtetën e interpretimit. “Ajo që më interesoi ishte përdorimi i zërit tim dhe i mjeteve të reja në shërbim të shprehjes, jo në vend të saj. Ky projekt respekton artistin dhe pronësinë e tij. U rrita duke parë prindërit e mi të krijonin ëndrra që i zotëronin të tjerë. ElevenLabs e bën të mundur që krijuesi të jetë edhe pronar. Kjo ka rëndësi”, tha ajo.
Kënga e Minnelli-t është pjesë e një albumi më të gjerë me materiale të krijuara ose të modifikuara nga inteligjenca artificiale. Në të përfshihet edhe Art Garfunkel, i cili sjell këngën “Authorship”, ku lexon një fragment nga kujtimet e tij “What Is It All But Luminous”, i vendosur mbi një shoqërim pianoje të krijuar nga AI. Garfunkel tha se muzika ka evoluar gjithmonë së bashku me teknologjinë – nga mikrofonët te regjistrimi shumëkanalësh – dhe se në këtë rast “njeriu mbetet në qendër; zëri im dhe teknologjia thjesht hapin një derë tjetër”.
Entuziazmi i dy artistëve vjen në kontrast me frikën e përhapur në industrinë muzikore, ku shumë krijues shqetësohen se muzika e gjeneruar nga inteligjenca artificiale mund të dëmtojë punësimin e muzikantëve njerëzorë dhe të imitojë punën e tyre pa kompensim të drejtë.
Ed Sheeran ka deklaruar se nëse inteligjenca artificiale u heq punën njerëzve, atëherë është një zhvillim i rrezikshëm. Ndërsa Lil Wayne ka dyshuar se AI mund të kopjojë vërtet stilin e tij: “Unë jam organikisht unik. Do të doja ta shihja atë gjë të përpiqej të më kopjonte”.
Megjithatë, njё valë e re kompanish të muzikës gjeneruese si Udio, Suno dhe Klay po avancojnё me shpejtësi. Ato kanë nisur të lidhin marrëveshje me shtëpi diskografike për t’u lejuar përdoruesve të krijojnë këngë të reja përmes mjeteve AI, të trajnuara mbi muzikë ekzistuese. Fillimisht, industria diskografike reagoi me kërcënime ligjore, por së fundmi janë arritur marrëveshje dhe partneritete.
Rikthimi i Liza Minnelli-t përmes inteligjencës artificiale nuk është thjesht një rikthim muzikor. Ai është një sinjal i qartë se debati mes krijimtarisë njerëzore dhe teknologjisë tashmë ka hyrë në zemër të industrisë së artit.
(Burimi: The Guardian)






