Tesla ka bërë një ndryshim të madh pa e shpallur me bujë. Autopiloti bazë, funksioni që për vite me radhë ishte pjesë standarde e makinave të markës, është hequr nga modelet e reja Model 3 dhe Model Y. Nga tani e tutje, blerësit që duan që makina të mbajë automatikisht korsinë do të duhet të paguajnë 99 dollarë në muaj për abonimin Full Self-Driving. Një teknologji që dikur ishte e përfshirë në çmimin e makinës, tani kthehet në shërbim me pagesë të vazhdueshme.
Modelet e reja do të ruajnë vetëm kontrollin e pёrshtatshёm të shpejtësisë që ruan distancën nga makina përpara, por funksioni Autosteer që mban automjetin në korsi nuk ofrohet më falas. Edhe vetë emri Autopilot është zhdukur nga konfiguratori i Teslës, duke u zëvendësuar me terma teknikë, ndërsa përfitimi real për drejtuesin është reduktuar. Pronarët ekzistues nuk preken nga ky vendim dhe ruajnë funksionet që kishin në momentin e blerjes, por për klientët e rinj kushtet kanë ndryshuar rrënjësisht.
Ky vendim lidhet edhe me strategjinë e re të kompanisë për Full Self-Driving. Deri në mesin e shkurtit, ky sistem mund të blihet me një pagesë të vetme, por më pas abonimi mujor do të jetë e vetmja mënyrë për ta përdorur. Heqja e Autosteer nga paketa bazë krijon një boshllëk të dukshëm që i shtyn blerësit drejt pagesës mujore. Elon Musk ka paralajmëruar se çmimi do të rritet më tej në të ardhmen, sidomos kur sistemi të arrijë drejtimin plotësisht autonom.
Reagimet nuk kanë munguar, sepse mbajtja automatike e korsisë sot konsiderohet pajisje standarde sigurie në shumë makina edhe më të lira se Tesla dhe ofrohet pa abonime. Me këtë lëvizje, Tesla kërkon në praktikë mbi një mijë dollarë në vit për një funksion që konkurrentët e japin pa pagesë shtesë. Kritikët e shohin këtë si kufizim artificial të asaj që makina mund të bëjë, ndërsa aktivistë për të drejtat e konsumatorit e kanë quajtur përpjekje për të zbehur pronësinë reale të klientit mbi produktin që blen.
Vendimi vjen në një moment kur Tesla po përballet me rënie të shitjeve, ulje të fitimeve dhe presion nga rregullatorët, ndërsa gjithnjë e më shumë konsumatorë po shprehin lodhje nga modeli i abonimeve për funksione bazë. Tani mbetet për t’u parë nëse klientët do ta pranojnë këtë ndryshim apo do të orientohen drejt markave që ofrojnë të njëjtat teknologji pa pagesa mujore. Në fund, përgjigjen do ta japë tregu.
(Burimi: Carscoops)






