Nëse dikush do të kishte hyrë në Muzeun e Artit Modern të Madeirës (MAMMA) në fund të shtatorit të vitit të kaluar, do të gjente piktura dhe skulptura shumëngjyrëshe. Por në një cep të sallës, një tjetër lloj arti po krijohej: saksofonisti portugez Elvis Nunes Sousa po thyente njё rekord.
Për më shumë se një ditë rresht, me vetëm pak pushime të shkurtra, muzikanti i trajnuar në muzikë klasike interpretoi pa ndërprerje për publikun e ishullit portugez. Qëllimi i tij ishte i dyfishtë: të frymëzonte muzikantë në mbarë botën dhe të nderonte trashëgiminë kulturore të Madeirës përmes një maratone muzikore të pazakontë.
Me një repertor prej 73 këngësh të përsëritura vazhdimisht – nga kompozitorë francezë te tema e “Pink Panther”, Louis Armstrong dhe Barbra Streisand – Elvis luajti saksofon për 33 orë rresht, një përpjekje rraskapitëse që i solli titullin e Guinness World Records për maratonën më të gjatë të luajtjes nё saksofon.
Ai theu rekordin e mëparshëm të vendosur në Indi në vitin 2023, prej 26 orësh e 23 minutash.
Pas përfundimit të sfidës, Elvis u shpreh për mediat lokale se “ndjenja është një kënaqësi e jashtëzakonshme, një detyrë e përmbushur”, ndërsa pranoi se lodhja ishte sfida më e madhe: “Jam vërtet i rraskapitur, mezi flas”.
Edhe pse ka fituar më parë çmime në konkurse ndërkombëtare në Evropë dhe Amerikën e Jugut, ky ishte rekordi i tij i parë botëror. Ai tha se dëshironte “të tregonte që saksofoni kërkon jo vetëm talent artistik, por edhe qëndrueshmëri fizike”.
Përgatitjet zgjatën muaj të tërë. Ai hartoi listën e këngëve, organizoi dëshmitarë dhe matës kohe zyrtarë, dhe më 22–23 shtator u ngjit në skenën e muzeut në Funchal për të nisur sfidën.
Për çdo orë interpretimi kishte të drejtë në vetëm pesë minuta pushim, të cilat i grumbullonte për të marrë pauza 20-minutëshe. Gjatë tyre merrte frymë jashtë, ushqehej lehtë dhe merrte masazh nga mbështetësit. Ai shmangte të fliste për të ruajtur frymëmarrjen dhe qëndrimin fizik, thelbësor për luajtjen e saksofonit.
Ndërsa orët kalonin dhe lodhja rritej, publiku vazhdonte të hynte e të dilte nga salla, i magjepsur nga këmbëngulja dhe talenti i tij. Dhe kur ora shënoi përfundimin e 33 orëve, fishekzjarret shpërthyen mbi skenë, duke sinjalizuar momentin e rekordit të ri botëror.
Mes duartrokitjeve, kamerave dhe përqafimeve, Elvis mbylli më në fund kutinë e saksofonit të tij – me një rekord botëror në histori dhe, me siguri, me nevojën për pak qetësi dhe pushim të merituar.






