Parisi ka parë kёtё javё një nga shfaqjet më të shumëpritura të modës së lartë. Jonathan Anderson, drejtori i ri kreativ i Dior, prezantoi koleksionin e tij të parë haute couture në Muzeun Rodin, duke sinjalizuar një epokë të re për një nga shtëpitë më ikonike të modës në botë.
Që prej emërimit të tij, Anderson ka qenë në qendër të vëmendjes së industrisë së modës, por debutimi në kёtё koleksion konsiderohej prova më e madhe e vizionit të tij. Dhe ai zgjodhi ta sfidojë traditën jo duke e mohuar, por duke e riimagjinuar.
Vetë dizajneri kishte paralajmëruar më herët se do të “ndryshonte couture në Dior”. Koleksioni i sotëm e konfirmoi këtë premtim: fustane që dukeshin të formuara si skulptura, jo të qepura; silueta që ngjanin me enë balte të modeluara me dorë; trupa që shndërroheshin në forma artistike.
Frymëzimi kryesor ishte natyra – nga lulet dhe petalet, te guaskat e detit, meteorët metalikë dhe bari i egër. Materialet, teksturat dhe ngjyrat imitonin logjikën e natyrës: asimetri, çrregullsi e bukur dhe forma organike. Fundet me pupla dukeshin si pendë zogjsh, çantat ngjanin me guaska, ndërsa aksesorët përfaqësonin insekte metalike të stilizuara.
Lulet – simbol historik i Dior që nga themelimi i shtëpisë më 1947 – u rikthyen, por këtë herë jo si dekor, por si strukturë e veshjes. Ato shpërthenin nga qepjet dhe rrethonin trupin, duke ruajtur ADN-në estetike të Dior, por në një gjuhë të re.
Ngjyrat ishin të guximshme: jeshile, lejla, portokall i zjarrtë, blu e hapur dhe rozat karakteristike të Dior. Edhe këpucët sfiduan pritshmëritë – balerina metalike, atlete dhe kёpucё tё sheshta tё kombinuara me kujdes, duke sugjeruar se luksi nuk ka më nevojë për taka të larta për të qenë elegant.
Në rreshtin e parë të spektatorëve ishte edhe ish-drejtori legjendar i Dior, John Galliano, si dhe emra të njohur si Jennifer Lawrence, Alexa Chung dhe Josh O’Connor – një përzierje simbolike mes trashëgimisë dhe epokës së re.
Koleksioni u mbyll me një fustan nusërie prej mëndafshi dhe shifoni, me pupla që rridhnin mbi trup, duke dhënë përshtypjen e një krijese të gjallë të rritur nga natyra, jo të prodhuar në atelier.
Mes tingujve të “Pranverës” së Vivaldit, mesazhi i Anderson ishte i qartë: moda nuk është më vetëm ruajtje e bukurisë tradicionale, por rritje, eksperimentim dhe guxim për të shpikur forma të reja.
Dior, nën drejtimin e tij, duket gati të hyjë në një kapitull ku arti, moda dhe natyra flasin të njëjtën gjuhë.



(Burimi: The Independent)






