Në pamje të parë është thjesht një bimë dekorative me gjethe të gjata e të forta. Por sipas ekspertëve të Feng Shui-t, “shpatorja” – e njohur edhe si sansevieria – është shumë më tepër se kaq. Ajo konsiderohet një element që pastron energjinë e hapësirës, forcon ndjenjën e mbrojtjes dhe ndihmon në krijimin e një ambienti më të balancuar dhe më të qetë.
Feng Shui e sheh shtëpinë si një organizëm të gjallë ku çdo objekt, formë dhe material ndikon në rrjedhën e energjisë. Në këtë filozofi, “shpatorja” dallohet për gjethet e saj të drejta, të mprehta, që ngjasojnë me shpata. Pikërisht kjo formë i jep bimës simbolikën e forcës, rezistencës dhe mbrojtjes nga energjitë negative. Ekspertja Anjie Cho shpjegon se, ndryshe nga bimët me gjethe të rrumbullakëta që përdoren për të krijuar butësi, snake plant shërben si “roje energjie” në zonat ku kërkohet më shumë siguri dhe stabilitet.
Përveç aspektit simbolik, kjo bimë njihet edhe për aftësinë për të pastruar ajrin, duke e lidhur me idenë e rinovimit dhe freskisë në hapësirat e brendshme. Strategët e Feng Shui-t e konsiderojnë atë një përfaqësuese të elementit të drurit, i cili lidhet me rritjen, zhvillimin personal dhe arritjen e qëllimeve.
Vendosja e saj në shtëpi nuk bëhet rastësisht. Hyrja e banesës është një nga pikat kryesore, sepse aty thuhet se hyn energjia jetësore. Një “shpatore” pranë derës shërben si filtër, duke penguar energjitë e padëshiruara dhe duke ftuar energjinë pozitive. Në këndin juglindor të shtëpisë, i njohur në Feng Shui si zona e pasurisë, kjo bimë përdoret për të nxitur prosperitetin dhe rritjen financiare. Në anën lindore, që lidhet me shëndetin dhe familjen, ajo ndihmon në forcimin e mirëqenies dhe harmonisë familjare.
Edhe në ambientet e punës “shpatorja” ka një rol të veçantë. Vendosur pranë tavolinës së punës, besohet se mbron nga tensionet profesionale, klientët e vështirë apo energjitë konkurruese, duke krijuar një ndjenjë sigurie dhe përqendrimi.
Disa praktikues e rekomandojnë edhe në dhomën e gjumit për të sjellë ndjenjë mbrojtjeje gjatë pushimit, edhe pse të tjerë sugjerojnë kujdes për shkak të formës së mprehtë të gjetheve që mund të krijojnë energji tepër aktive në një hapësirë që kërkon qetësi.
Zona jugore e shtëpisë, që lidhet me reputacionin dhe imazhin publik, është një tjetër vend ku “shpatorja” vendoset për të “prerë” thashethemet dhe për të forcuar autoritetin personal.
Ekspertët theksojnë se sekreti nuk është vetëm vendosja, por edhe kujdesi. Një bimë e shëndetshme simbolizon energji të fortë dhe të qëndrueshme, ndërsa një bimë e lënë pas dore mund të sjellë efekt të kundërt. Prandaj këshilla kryesore është ta zgjedhësh nëse je gati ta mirëmbash me lehtësi, sepse Feng Shui favorizon gjithmonë rrjedhën e natyrshme dhe pa stres të energjisë në shtëpi.
Në fund, “shpatorja” mbetet një shembull se si natyra dhe dizajni mund të bashkëpunojnë për të krijuar jo vetëm ambiente të bukura, por edhe hapësira që ndihen më të mbrojtura, më të pastra dhe më të balancuara. Një bimë e vetme, e vendosur me qëllim, mund të ndryshojë ndjeshëm mënyrën si “frymon” një shtëpi.






