Pothuajse 100 fëmijë janë lënduar si pasojë e ndërhyrjeve kirurgjikale të kryera nga kirurgu ortoped Yaser Jabbar, sipas një shqyrtimi zyrtar të Spitalit Great Ormond Street në Londër (GOSH).
Jabbar, i cili ishte i specializuar në kirurgjinë e gjymtyrëve të poshtme, ka trajtuar qindra fëmijë mes viteve 2017 dhe 2022. Një panel i pavarur ekspertësh konstatoi se një pjesë e konsiderueshme e procedurave të tij nuk përmbushnin standardet profesionale të kërkuara.
Sipas raportit, nga gjithsej 94 fëmijë të dëmtuar, 36 kanë pësuar lëndime të rënda, 39 lëndime të moderuara dhe 19 lëndime të lehta. Shumë prej tyre vazhdojnë të vuajnë nga dhimbje kronike, ndërsa disa kanë pasur nevojë për ndërhyrje të tjera kirurgjikale për të korrigjuar dëmet.
Rishikimi vëren se 642 pacientë të tjerë të trajtuar nga Jabbar nuk kanë pësuar dëme që mund t’i atribuohen drejtpërdrejt atij, por rastet problematike kanë ngritur shqetësime serioze mbi praktikat e ndjekura.
Në një nga rastet më të rënda, një djalë shtatëvjeçar iu nënshtrua një procedure për zgjatjen e këmbës që u cilësua si “krejtësisht e papërshtatshme” dhe që pritet ta ndikojë për gjithë jetën. Një tjetër fëmijë, 12 vjeç, mbeti me një gjilpërë të futur në kofshë për shkak të asaj që raporti e përshkruan si “aftësi të dobët kirurgjikale”.
Raporti evidenton një sërë problematikash serioze, përfshirë planifikim të dobët para operacionit, stabilizim të pamjaftueshëm të kockave, dokumentim të paqartë ose të paplotë, si dhe vendosje të implanteve në pozicione të gabuara. Po ashtu, janë konstatuar prerje në nivel të gabuar të kockës, përdorim i metodave të papërshtatshme, keqmenaxhim i pajisjeve fiksuese dhe mungesë bashkëpunimi me ekipin e gjerë mjekësor në rastet e infeksioneve.

Shumë familje kanë deklaruar se nuk kanë marrë shpjegime të qarta mbi alternativat e trajtimit, rreziqet apo arsyet pse janë marrë vendime të caktuara mjekësore. Sipas tyre, shpesh kanë qenë të paqartë për qëllimin e procedurave dhe rezultatet e pritshme. Disa prej tyre kanë pohuar se shqetësimet e ngritura drejtpërdrejt me kirurgun janë injoruar ose minimizuar.
Sipas burimeve, Yaser Jabbar aktualisht jeton jashtë Mbretërisë së Bashkuar dhe nuk ka më licencë për të ushtruar profesionin e mjekut në vend.
Policia Metropolitane ka konfirmuar se është në kontakt me spitalin dhe po shqyrton raportin për të vlerësuar nëse ka elementë që kërkojnë ndërhyrje penale.
Drejtori ekzekutiv i GOSH, Matthew Shaw, tha në një deklaratë se spitali i kërkon ndjesë të gjithë pacientëve dhe familjeve të prekura. “Raporti që kemi publikuar përshkruan në mënyrë të plotë çfarë ka ndodhur, çfarë kemi mësuar nga ky proces dhe masat që kemi ndërmarrë si pasojë”, u shpreh ai.
(Burimi: The Independent)






