Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka bërë publike se qeveria ka gati projektligjin për amnistinë penale, nga e cila pritet të përfitojnë mbi 10 mijë persona. Propozimi është firmosur dhe është dërguar tashmë në Këshillin e Ministrave, ndërsa më pas do të depozitohet në Kuvend për miratim.
Sipas shifrave të bëra publike nga ministri, 338 persona do të lirohen menjëherë nga burgjet, ndërsa 980 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi. Amnistia prek edhe procedimet e vitit 2024 dhe përfshin një gamë të gjerë veprash penale të konsideruara të lehta.
“Kemi kaluar në Parlament ndryshimet në Kodin Penal duke përfshirë këtu dekriminalizimin e shpifjes sidomos për një kategori të caktuar personash që kërkojnë më shumë mbrojtje, gazetarët. Sapo kam firmosur propozimin për amnistinë penale, duke e dërguar këtë propozim për akt ligjor në Këshillin e Ministrave dhe besoj se shumë shpejt do të kemi miratimin e aktit dhe më pas depozitimin në Kuvend”, deklaroi Lamallari.
Në shifra konkrete, ministri sqaroi se në sistemin penitenciar ndodhen aktualisht 1,230 persona që përfitojnë drejtpërdrejt nga amnistia: “338 persona fitojnë lirim të menjëhershëm, më pas 980 të tjerë përfitojnë ulje dënimi”, tha ai, duke shtuar se vetëm për drejtimin e parregullt të automjetit janë regjistruar 7,711 procedime penale gjatë vitit 2024, të cilat do të shuhen me miratimin e amnistisë.
Por ndërsa ministri njofton lirime masive dhe flet për lehtësim të barrës penale, mesazhi për shoferët tingëllon disi paradoksal: sot amnistohen mijëra drejtues mjetesh, ndërsa nesër, me ndryshimet e bëra këtë javë në Kodin Penal, parkimi i dyfishtë dhe shkeljet e trafikut do tё ndiqen penalisht. Burgjet zbrazen sot, por potencialisht mund të mbushen sërish nesër – këtë herë jo me vepra të rënda, por me shkelje që deri dje trajtoheshin si kundërvajtje administrative.
Lamallari theksoi se nga amnistia përjashtohen kategorikisht çështjet që lidhen me drejtësinë e posaçme: “Jo për dënimet nga Gjykata e Posaçme. Kjo nuk përfshin persona që kanë qenë në hetim, janë nën hetim apo gjykim nga GJKKO”, u shpreh ai.
Në thelb, amnistia penale është një instrument i njohur në çdo sistem juridik. Ajo përdoret si masë e jashtëzakonshme për të lehtësuar sistemin penal, për të reflektuar ndryshime shoqërore apo për të korrigjuar politika ndëshkuese që kanë rezultuar disproporcionale. Në teori, amnistia aplikohet në momente të veçanta: pas krizash të mëdha, ndryshimesh rrënjësore ligjore, ose për arsye të forta humanitare.
Në praktikën shqiptare, megjithatë, amnistitë janë shndërruar në një instrument periodik për zbrazjen e burgjeve dhe për mbylljen masive të dosjeve penale, shpesh edhe për të “spastruar” sirtarët e prokurorive nga mijëra procedime që sistemi nuk arrin t’i përballojë. Përtej lirimit të të dënuarve, amnistia shuan ndjekjen penale për një sërë veprash, duke ngritur gjithmonë pikëpyetje mbi efektin e saj real në parandalimin e krimit.
Në këtë kontekst, mbetet për t’u parë se cili do të jetë rrethi i saktë i veprave penale që do të përfshihen në projektligjin përfundimtar dhe cilat kategori tё dёnuarish apo nё procedim penal do të përfitojnë. Amnistia, si çdo akt i tillë, do të duhet vlerësohet jo vetëm nga numri i të liruarve, por nga mesazhi që i jep shoqërisë për drejtësinë, barazinë para ligjit dhe funksionimin e sistemit penal.






