Këshilli i Ministrave ka miratuar nё datёn 21 janar një vendim që autorizon dhënien e garancive shtetërore në favor të Raiffeisen Bank, për kredi të marra nga shoqëritë e Grupit OSHEE, në kuadër të projektit të quajtur “Qëndrueshmëria e OSHEE-së”. Ky vendim ёshtё botuar vetёm dje nё Fletoren Zyrtare.
Në thelb, vendimi parashikon që shteti shqiptar të dalë garant për dy kontrata kredie, ku kryesorja kap vlerën 15 milionë euro, ndërsa e dyta 750 mijë euro. Kreditë do të përdoren për rifinancimin e borxheve ekzistuese që Grupi OSHEE ka pranë Raiffeisen Bank, pra jo për investime të reja, por për mbylljen ose ristrukturimin e ekspozimeve të mëparshme financiare.
Çfarë do të thotë konkretisht garancia shtetërore
Me këtë vendim, nëse shoqëritë publike të energjisë – Furnizuesi i Shërbimit Universal, OSHEE Group, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe Furnizuesi i Tregut të Lirë – nuk janë në gjendje të shlyejnë kredinë, atëherë Ministria e Financave, në emër të shtetit, është e detyruar ta paguajë të gjithë detyrimin ndaj bankës, përfshirë kryegjënë dhe interesat.
Garancia është e pakushtëzuar dhe e parevokueshme, dhe banka mund t’i drejtohet shtetit për pagesë me kërkesën e parë me shkrim, pa pasur nevojë për procedura shtesë gjyqësore apo kundërshtime.
Interesi dhe kushtet financiare
Kredia 15 milionë euro është afatgjatë dhe ka një strukturë interesi të lidhur me EURIBOR 6-mujor + 1% marzh vjetor. Nëse EURIBOR rezulton negativ, ai llogaritet zero. Pagesa e interesit bëhet çdo gjashtë muaj, ndërsa kryegjëja nuk shlyhet për tre vitet e para, duke u shtyrë më pas deri në vitin 2036.
Në kontratë parashikohen gjithashtu:
- komision administrimi 1%;
- komision angazhimi 0.5% për shumën e padisbursuar;
- penalitete për vonesa;
- të drejtë e bankës për të kërkuar ekzekutim të menjëhershëm të garancisë shtetërore.
Pse Raiffeisen Bank dhe jo një tjetër?
Vendimi nuk jep asnjë shpjegim publik për përzgjedhjen e Raiffeisen Bank si kredidhënëse e vetme, as për faktin nëse janë shqyrtuar alternativa të tjera në treg, përfshirë banka të tjera tregtare apo institucione financiare ndërkombëtare.
Nga dokumentacioni rezulton se kredia e re shërben për të mbyllur ekspozime ekzistuese që Grupi OSHEE ka tashmë pikërisht pranë Raiffeisen Bank, çka e bën marrëveshjen më tepër një ristrukturim të borxhit të vjetër, sesa një financim të ri të konkurruar në treg.
A është normale kjo praktikë?
Nga pikëpamja ligjore, dhënia e garancive shtetërore është e parashikuar në legjislacion dhe është përdorur edhe më parë për sektorë strategjikë. Megjithatë, normaliteti formal nuk përjashton rrezikun financiar.
Në këtë rast:
- shteti garanton një hua që nuk shkon për investime produktive, por për shlyerje borxhesh;
- rreziku transferohet nga banka te buxheti i shtetit;
- nuk ka transparencë mbi alternativat e financimit;
- borxhi mbetet publik.
Nëse Grupi OSHEE has vështirësi në të ardhmen, barra financiare bie drejtpërdrejt mbi taksapaguesit, ndërsa banka mbrohet plotësisht nga garancia qeveritare.
I gjithё ky transaksion financiar ёshtё një zhvendosje e qartë e rrezikut nga banka te shteti. Raiffeisen, qё “dihet” si ёshtё pёrzgjedhur, sigurohet plotësisht, ndërsa barra e vёrtetё e kredisë transferohet te buxheti publik, pavarësisht se si performojnë shoqëritë e energjisë në vitet në vijim.
Rezultati? Në vend që të forcohet qëndrueshmëria financiare e sektorit energjitik, garancia shtetërore bëhet mburoja e një borxhi ekzistues, duke i dhënë bankës siguri absolute dhe duke i lënë taksapaguesit përballë çdo skenari të mundshëm dështimi.
Përftimi? Në këtë formë, instrumentet financiare nuk po përdoren për reforma strukturore apo disiplinimin fiskal për të cilat ka shumë nevojë, por për shtyrjen e kostos reale në kohë, me risk totalisht nё “kurriz” publik dhe përfitim të qartë privat.
Banka Raiffeisen është një kompani private, me pronarë përfitues, “fitimtarë” tërësisht të huaj. Qeveria dhe populli janë garantorë, tërësisht shqiptarë, thuajse “humbës”.








