Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, do të vijojë të qëndrojë në paraburgim, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) rrëzoi kërkesën e tij për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Veliaj u paraqit fizikisht këtë të diel në sallën e gjyqit, ku u zhvillua seanca për rishikimin e masës së sigurisë. Këtë herë ai ishte i vetëm përballë dy prokurorëve të SPAK, Altin Dumani dhe Ols Dado, të cilët përfaqësuan akuzën në gjykatë. Në përfundim, trupa gjykuese vendosi të lërë në fuqi masën ekzistuese.
Hetimet e SPAK ndaj Veliajt përfunduan më 10 shtator 2025, ndërsa arrestimi i tij u krye më 10 shkurt të po atij viti. Bashkë me të janë dërguar për gjykim edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe 28 persona dhe subjekte të tjera të përfshira në dosje.
Prokuroria ka ngritur ndaj kryebashkiakut 13 akuza, mes tyre korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të paligjshme në burg. Sipas SPAK, pjesa më e madhe e akuzave lidhet me disa raste të dyshuara korrupsioni, ku kompani të ndryshme pretendohet se kanë ofruar përfitime të parregullta financiare dhe pasuri të paluajtshme, duke përfituar më pas leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës.
Me vendimin e fundit të GJKKO-së, Veliaj mbetet në qeli në pritje të vijimit të procesit gjyqësor.






