Gazetarja e njohur Rezarta Reçi u nda nga jeta në moshën 64-vjeçare, pas një beteje të gjatë me sëmundjen e rëndë. Lajmin e bëri të ditur familja përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku e përshkruan si një person të dashur, të përkushtuar dhe të respektuar.
Reçi nisi karrierën e saj në Radio Tirana, ku punoi për më shumë se 30 vjet, duke u bërë një emër i njohur i medias shqiptare. Ajo prezantoi dhe krijoi emisione të ndryshme, ndër të cilat spikati “Arratia e Peshkut të Kuq”, ku intervistoi qindra personalitete dhe solli për publikun histori me dimension social dhe njerëzor.
Përveç gazetarisë, Rezarta Reçi ishte edhe autore e disa librave, përfshirë “Kolonë Zanore” dhe “Zhbërja”, të cilat pasqyronin eksperiencat e saj personale dhe profesionale.
Familja e përshkruan si një shembull të fortë qëndrese dhe kuraje, duke përballuar sëmundjen deri në ditët e fundit. “Rrezarta jonë u shua në paqe mes njerëzve të zemrës, dashurisë, respektit dhe përkushtimit të miqve, të afërmve dhe mjekëve që i qëndruan pranë,” shkruhej në njoftim.
Rezarta Reçi do të kujtohet për profesionalizmin, përkushtimin dhe pasionin e saj ndaj gazetarisë, si dhe për kontributin e saj në fushën e medias dhe kulturës shqiptare.






