Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar një tjetër thirrje të fortë për mobilizim qytetar, duke paralajmëruar se opozita nuk do të tërhiqet nga protesta deri në largimin e kryeministrit Edi Rama. Deklaratat e tij në konferencën për mediat kanë shtuar pikëpyetjet nëse opozita po shkon drejt një skenari të ngjashëm me atë të vitit 2017, kur PD me Bashёn asokohe ngriti “çadrën” në bulevard.
“Janë me qindra qytetarë që më shkruajnë dhe më thonë se nuk duhet të largohemi nga bulevardi pa larguar Edi Ramën. Ne drejt asaj do të shkojmë… në mënyrë të pashmangshme, në mënyrë të sigurt,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se ky duhet të jetë një moment diskutimi të gjerë me qytetarët dhe mbështetësit e opozitës, duke e paraqitur përballjen si të vendosur deri në fund. “Gjithçka është në duart e qytetarëve… në duart e të rinjve shqiptarë, studentëve dhe gjimnazistëve,” shtoi ai.
Në fjalën e tij, Berisha përsёriti akuzat e rënda ndaj qeverisë, duke e cilësuar “Rilindjen” si një “organizatë kriminale” dhe duke u ndalur sёrish te figura e Ergys Agasit, për të cilin tha se “duhet të ishte në burg”, por sipas tij vijon të japë urdhra.
“Galeria e Ergys Agasit është galeria më e shëmtuar e shtetit. Ajo do të hyjë në histori si dëshmia më e tmerrshme e degradimit total të organizatës kriminale që quhet Rilindje,” deklaroi ai.
Berisha shkoi edhe më tej në retorikë, duke pretenduar se Agasi “ishte Rama”, ndërsa akuzoi kryeministrin për përdorimin e policisë dhe lidhje me elementë kriminalë. Ai pretendoi gjithashtu se protestat e opozitës po ndiqen me vëmendje ndërkombëtare.
“E gjithë Europa pret protestën tonë. E gjithë bota pret protestën tonë… Ne do të vazhdojmë misionin e përmbysjes së kësaj narkodiktature dhe rikthimin e votës së lirë për shqiptarët,” tha lideri demokrat.
Toni i deklaratave dhe insistimi për të mos u larguar nga bulevardi kanë ringjallur kujtimet e protestës së gjatë të vitit 2017, por qё u pasua me marrёveshjen e majit asokohe dhe me njё qeveri gjysmё-teknike qё e la opozitёn sёrish nё opozitё. Mbetet për t’u parë nëse PD do të ndërmarrë një hap konkret drejt një “çadre nr.2”, apo nëse paralajmërimet do të mbeten pjesë e presionit politik në prag të përballjeve të reja mes mazhorancës dhe opozitës.






