Prania e Shqipërisë në vendet e tjera përmes ambasadave apo konsullatave duhet të jetë patjetër dinjitoze. Ky dinjitet nis nga përfaqësuesit që dërgojmë – çfarë përfaqësojnë dhe sa të përgatitur janë për diplomacinë – vijon me trajtimin e tyre financiar sipas kostove të jetesës së vendit ku shërbejnë dhe përfundon me rezidencën, pra godinën ku vendoset përfaqësia shqiptare. Por pikërisht kjo hallkë e fundit duket se ka prodhuar një vendim që ngre dyshime serioze për ligjshmërinë e tij.
Qeveria ka miratuar VKM nr. 47, datë 23.1.2026, të botuar sot në Fletoren Zyrtare, “Për përcaktimin e rregullave e të procedurave për përdorimin e fondit për blerjen e një pasurie të paluajtshme që do të shërbejë si seli e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Londër, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe e Irlandës së Veriut.” Vendimi synon të hapë rrugën për blerjen e një prone që do të përdoret si ambasadë, duke ngarkuar Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe vetë misionin diplomatik në Londër me identifikimin e godinës, negocimin dhe ndjekjen e procedurave deri në finalizimin e kontratës.
Sipas VKM-së, prona duhet të jetë e sigurt juridikisht, pa barrë hipotekore, me vendndodhje të përshtatshme dhe funksionale për aktivitet diplomatik. Një komision i posaçëm do të shqyrtojë ofertat dhe do të ndjekë procesin e blerjes. Deri këtu, gjithçka duket si një procedurë standarde për një investim shtetëror jashtë vendit.
Por ajo që bie menjëherë në sy është vlera: qeveria ka vënë në dispozicion 520 milionë lekë, ose rreth 5.2 milionë euro, për këtë blerje nga buxheti i shtetit. Një shumë e konsiderueshme që kërkon jo vetëm transparencë maksimale, por mbi të gjitha një bazë të pakundërshtueshme ligjore.
Dhe pikërisht këtu nis problemi serioz.
Vendimi referon si bazë ligjore nenin 100 të Kushtetutës, i cili përcakton formën e akteve që nxjerr Këshilli i Ministrave, si dhe pikën 13, të nenit 11, të ligjit nr. 115/2024 “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar. Ndonëse jemi në vitin 2026, vendimi i referohet ligjit për buxhetin e vitit 2025. Dhe për më shumë çudi, në variantin e azhornuar të këtij ligji në Fletoren Zyrtare, neni 11 nuk ka 13 pika – ai mbyllet në pikën 9. Pra referenca mbi të cilën është mbështetur VKM-ja nuk ekziston.

Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një akt që praktikisht qëndron në ajër, i pakapur askund, në kundërshtim me Kushtetutën, qё kërkon që çdo akt nënligjor të ketë mbështetje të drejtpërdrejtë në ligj. Me sa duket, nëpunësit e Kryeministrisë i kanë çuar Edi Ramës për firmë një vendim që nuk lidhet me asnjë dispozitë konkrete ligjore – një gafë që shkon përtej një gabimi teknik dhe prek vetë standardin e ligjshmërisë së vendimmarrjes qeveritare.
Skandali thellohet edhe më shumë po të merret parasysh fakti se bëhet fjalë për një VKM që miratohet për të rregulluar procedurën e përdorimit të miliona eurove nga taksat e qytetarëve. Një blerje e tillë do të duhej të ishte e ankoruar qartë në legjislacionin për menaxhimin e fondeve publike, për të shmangur çdo hapësirë interpretimi apo abuzimi.
Ndërsa Londra pritet të bëhet me një seli të re diplomatike shqiptare, hija e këtij vendimi rrezikon ta shoqërojë që në fillim – jo si simbol dinjiteti shtetëror, por si një tjetër rast që ngre dyshime mbi mënyrën se si menaxhohen paratë publike dhe si prodhohen aktet e qeverisë.







