Bill dhe Hillary Clinton kanë rënë dakord të paraqiten për dëshmi ballë për ballë në Uashington, në kuadër të hetimit të Kongresit amerikan për Jeffrey Epstein, në një përpjekje për të shmangur një votim të mundshëm për shpërfillje të Kongresit nga Dhoma e Përfaqësuesve.
Nuk është ende e qartë nëse kryetari i Komitetit të Mbikëqyrjes, James Comer, do ta pranojë ofertën e fundit, apo nëse Dhoma do të vazhdojë procedurat për t’i dënuar ish-presidentin dhe ish-sekretaren e shtetit për refuzimin e mëparshëm për të dëshmuar.
Comer deklaroi se avokatët e çiftit kanë thënë se bien dakord me kushtet, por pa dhënë ende data konkrete dhe pa sqaruar disa detaje. “Arsyeja e vetme pse ata kanë pranuar është sepse Dhoma ka ecur përpara me procedurat për shpërfillje,” u shpreh ai, duke shtuar se do të shqyrtojë ofertën përpara se të vendosë hapat e mëtejshëm.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Clintonëve, Angel Ureña, reagoi ashpër duke theksuar se ata kanë negociuar me mirëbesim dhe janë gati të paraqiten. “Ish-presidenti dhe ish-sekretarja e shtetit do të jenë aty. Ata duan të vendosin një precedent që vlen për të gjithë,” shkroi ai.
Demokrati më i lartë në komitet, Robert Garcia, u shpreh optimist se oferta do të pranohet, duke theksuar se Clintonët kanë pranuar çdo kusht të paraqitur. “Që nga dita e parë kemi kërkuar që Bill Clinton të dëshmojë dhe jam i kënaqur që kjo do të ndodhë,” tha ai për CNN.
Oferta e fundit erdhi në momentet kur Komiteti i Rregullave po përgatiste parametrat për një votim mbi shpërfilljen e Kongresit. Sipas burimeve, emaili i avokatëve mbërriti gjatë një takimi të komisionit, ndërsa Comer po fliste për procedurat qё do ndiqeshin.
Kjo nuk është përpjekja e parë e çiftit për të shmangur përplasjen ligjore. Më herët ata kishin propozuar një intervistë vullnetare katërorëshe në Nju Jork, por kjo u refuzua nga Comer, i cili e konsideroi ofertën “të paarsyeshme” dhe kundërshtoi kufizimet e vendosura mbi fushën e pyetjeve.
Ligjvënësit nga të dyja partitë votuan në janar për t’i shpallur Clintonët në shpërfillje të Kongresit, pas muajsh refuzimi për të dhënë dëshmi në lidhje me hetimin për Epsteinin. Comer theksoi se kanë kaluar gati gjashtë muaj nga thirrja e parë dhe se kërkesat për “trajtim të veçantë” janë një fyerje për kërkesën e publikut për transparencë.
Bill Clinton ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje lidhur me Epstein. Ndërkohë, avokatët e Hillary Clinton kishin kërkuar fillimisht tërheqjen e thirrjes ndaj saj, duke sugjeruar një deklaratë të dytë nën betim ose një intervistë të ngjashme me atë të bashkëshortit.
Tani mbetet për t’u parë nëse marrëveshja do të finalizohet dhe nëse dëshmitë do të mjaftojnë për të shmangur një përballje të drejtpërdrejtë me Kongresin, e cila mund të sillte pasoja serioze ligjore për çiftin.






