Një biznesmen i njohur i fushës së restoranteve po përballet me drejtësinë pasi u kap “në flagrancë” duke hedhur një substancë të dyshuar në pijen e një gruaje në klubin ekskluziv privat Annabel’s, në zonën elitare të Mayfair në Londër.
Sipas asaj që u tha në Southwark Crown Court, 63-vjeçari Vikas Nath dyshohet se përdori një pipëz për të futur gamma-butyrolactone (GBL) në një koktej “spicy margarita”, ndërsa ndodhej në barin panoramik të klubit. Stafi i lokalit vuri re veprime të pazakonta kur ai mori nga xhepi një shishe të vogël dhe thithi lëngun me pipëz për ta kaluar më pas në gotën e gruas.

Punonjësit reaguan menjëherë duke zëvendësuar pijen e dyshuar me një tjetër para se ajo ta konsumonte dhe njoftuan policinë. Ndërkohë, kur kuptoi se ishte zbuluar, Nath dyshohet se u përpoq të fshihte provat duke hedhur shishen në depozitën e tualetit, ku më pas u gjet nga oficerët.
Prokuroria tha se rasti është i pazakontë, pasi vetë i pandehuri pranon se e ka hedhur substancën në pije, por pretendon se e bëri vetëm për ta “relaksuar” gruan dhe jo për qëllime seksuale. Megjithatë, para jurisë u paraqitën edhe mesazhe që ai kishte shkëmbyer me një mik, ku shprehte dëshirën për të kryer marrëdhënie me të dhe frustrimin që kjo nuk kishte ndodhur ende.
Gjykata mësoi gjithashtu se në banesën e tij në Knightsbridge ishte instaluar një kamerë me sensor lëvizjeje në dhomën e gjumit, të cilën Nath pranoi se e kishte përdorur më parë për të regjistruar në mënyrë të fshehtë marrëdhënie seksuale.
Policia gjeti gjurmë të GBL në shishen e hedhur dhe dy shishe të tjera të së njëjtës substancë nën lavamanin e shtëpisë së tij. Biznesmeni deklaroi se e kishte blerë lëngun si pastrues për një makinë sportive dhe se një mik i kishte thënë se mund të përdorej edhe si relaksues kur përzihej me alkool.
Vikas Nath, i cili zotëron disa restorante të njohura në Britani dhe Spanjë, përfshirë edhe dy me yje Michelin, mohon akuzat. Ai pretendoi gjithashtu se në atë periudhë po kalonte një krizë të shëndetit mendor për shkak të divorcit dhe se nuk e dinte që substanca ishte e paligjshme. Procesi gjyqësor ndaj tij vijon.
(Burimi: Mirror)






