Shpresat e Marine Le Pen për t’u bërë presidentja e parë femër e Francës kanë marrë një goditje të fortë, pasi prokurorët kërkuan burgosjen e saj dhe mbajtjen në fuqi të ndalimit për të kandiduar në poste publike.
Politikania 57-vjeçare ndodhet në një betejë gjyqësore në Paris për të rrëzuar dënimin e marsit 2025, ku u shpall fajtore për përvetësim fondesh publike. Sipas vendimit të shkallës së parë, Le Pen drejtoi një “sistem” që devijoi fondet e Bashkimit Europian drejt arkës së partisë së saj, duke u dënuar me katër vite burg, dy prej tyre me kusht.
Të martën, prokurorët në Gjykatën e Apelit kërkuan një dënim prej katër vitesh, me tre të pezulluara, një gjobë prej 100 mijë eurosh dhe ruajtjen e ndalimit për të kandiduar — një masë që do ta përjashtonte nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.
Prokurori i Përgjithshëm Stéphane Madoz-Blanchet deklaroi në sallën e gjyqit se “Marine Le Pen ishte nxitësja, duke ndjekur gjurmët e të atit, e një sistemi që i mundësoi partisë të përvetësonte 1.4 milionë euro”. Sipas akuzës, fondet publike u fshehën dhe u përvetësuan “pikë pas pike, derisa formuan një lumë”.
Le Pen ka mohuar akuzat dhe i ka cilësuar proceset si të motivuara politikisht, duke pretenduar se bëhet fjalë vetëm për “një gabim” dhe jo për një skemë të qëllimshme. Ndërkohë, prokurori Thierry Ramonatxo hodhi poshtë idenë se drejtësia po përpiqet të bllokojë ambiciet e saj politike, duke theksuar se “një gjyqtar është mbrojtësi i ligjit dhe thjesht e zbaton atë”.
Gjyqi i parë shpalli fajtore Le Pen bashkë me 24 persona të tjerë, shumica e të cilëve e pranuan vendimin. Debati rreth çështjes ka qenë aq i tensionuar sa gjyqtari kryesor mori kërcënime me vdekje dhe u vendos nën mbrojtje policore.
Procesi i apelit pritet të zgjasë deri javën e ardhshme, ndërsa vendimi final do të jepet më vonë gjatë këtij viti. Nëse ndalimi për kandidim mbetet në fuqi, favoritja e sondazheve për presidencën mund të zëvendësohet nga aleati i saj politik, 30-vjeçari Jordan Bardella.
Presidenti aktual Emmanuel Macron nuk mund të rikandidojë në vitin 2027 pas dy mandateve, çka e bën këtë proces gjyqësor vendimtar për të ardhmen politike të së djathtës franceze.
(Burimi: Daily Mail)






