Një grup aktivistësh të veshur si Robin Hoodi bastisën një supermarket në Montreal të martën në mbrëmje, duke marrë ushqime pa paguar dhe duke i shpërndarë më pas në frigoriferë komunitarë në qytet. Ata e cilësuan aksionin si një protestë politike kundër rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe kostos së jetesës në Kanada.
Organizata që e quan veten “Robins des Ruelles” (Robinët e Rrugicave) tha se rreth 60 persona morën pjesë në aksionin e zhvilluar në dyqanin e produkteve të shëndetshme Rachelle Béry. Disa prej tyre mbanin kapele me pupla në stilin e personazhit legjendar, ndërsa të tjerë përdorën bojë spraj për të bllokuar kamerat e sigurisë.

Sipas grupit, mallrat e marra u rishpërndanë në “shumë frigoriferë komunitarë”, në një përpjekje për të ndihmuar njerëzit që përballen me rritjen e çmimeve. Një anëtar i organizatës, i identifikuar si Francis, deklaroi se “kur dy punë nuk mjaftojnë për të ngrënë, për të pasur një çati mbi kokë dhe për t’u kujdesur për familjen, çdo mjet bëhet i ligjshëm”.
Ky nuk është incidenti i parë i këtij lloji. Në dhjetor, i njëjti grup hyri në një dyqan ushqimor i veshur si Babagjyshi dhe elfët e tij, duke lënë një pjesë të produkteve të vjedhura të mbështjella si dhurata nën një pemë Krishtlindjeje aty pranë.
Kostoja e jetesës është kthyer në një temë të nxehtë në Kanada, ku inflacioni i ushqimeve u rrit me 4.7% nga nëntori 2024 deri në nëntor 2025 — më shumë se dyfishi i inflacionit të përgjithshëm, sipas CBC.
Policia e Montrealit konfirmoi se ka nisur një hetim për vjedhjen dhe grafitet. Zëdhënësi Jean-Pierre Brabant tha se askush nuk u lëndua dhe se deri tani nuk ka të arrestuar. Vlera e mallrave të vjedhura vlerësohet në “mijëra dollarë”, ndërsa asnjë prej tyre nuk është rikuperuar ende.
Autoritetet po hetojnë gjithashtu bastisjen e dhjetorit, e cila mbetet pa autorë të identifikuar.
(Burimi: CNN)






