Gjykata Kushtetuese, duke mos bёrё dot njё shumicё votash, shpalli sot rrëzimin e kërkesës sё paraqitur nga Kryeministri për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave mes qeverisë dhe Gjykatës së Posaçme, lidhur me pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Megjithatë, thelbi i kësaj vendimmarrjeje nuk qëndron te një qëndrim i qartë juridik i Gjykatës, por te mungesa e votave të nevojshme për ta marrë atë.
Në përfundim të shqyrtimit, gjyqtarët u ndanë në dy qëndrime dhe nuk u arrit shumica minimale prej pesë votash, e kërkuar nga ligji. Pikërisht këtu hyn në fuqi pika 4 e nenit 73 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, e shtuar me reformën në drejtësi të vitit 2016: kur nuk formohet shumica, kërkesa konsiderohet automatikisht e rrëzuar.
Pra, nuk është Gjykata që ka vendosur në mënyrë substanciale kundër kërkesës së Kryeministrit – është mekanizmi procedural që prodhon këtë pasojë sapo gjykata bllokohet në votim.
Paraprakisht, Kushtetuesja theksoi njëzëri se imuniteti i ministrit rregullohet nga neni 103, pika 3 e Kushtetutës, në lidhje me nenin 73, dhe se edhe anëtarët e qeverisë i nënshtrohen ligjit dhe mund të mbahen përgjegjës për shkeljet e tij. Gjykata nënvizoi gjithashtu parimet themelore të shtetit të së drejtës, epërsinë e Kushtetutës dhe ndarjen e pushteteve.
Por ndarja e gjyqtarëve mbi interpretimin konkret të rastit bëri që institucioni të mos japë një përgjigje përfundimtare kushtetuese mbi masën e pezullimit të një ministri.
Dy ishin linjat kryesore të debatit: njëra palë argumentoi se masa e pezullimit prek drejtpërdrejt funksionin politik të ministrit dhe për këtë arsye duhet autorizim paraprak nga Kuvendi; pala tjetër mbrojti interpretimin restriktiv të imunitetit, duke theksuar se Kushtetuta nuk e parashikon shprehimisht këtë masë mes atyre që kërkojnë miratim parlamentar.
Për shkak se asnjëra teori nuk mori pesë vota, Gjykata nuk prodhoi një vendim interpretues. Në praktikë, kjo do të thotë se vendi mbetet pa një standard kushtetues për raste të ngjashme në të ardhmen.
Vendimi solli edhe një efekt të menjëhershëm: u hoq masa e pezullimit e vendosur më herët, ndërsa vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Megjithatë, përtej teknikës juridike, realiteti politik është i qartë – Belinda Balluku nuk është më zëvendëskryeministre dhe ministre. Ndërkohë, vendi mbetet pa një interpretim përfundimtar të Kushtetutës për këtë çështje, pikërisht sepse Gjykata nuk arriti të formojë shumicën.
Kjo situatë lë hapur një pikëpyetje të madhe institucionale: kur Gjykata pranon se ka juridiksion, por nuk arrin të vendosë, kontrolli kushtetues mbetet pezull mes procedurës dhe substancës. Mbase më mirë për të shmangur një precedent të fortë; mbase më keq, sepse mungon qartësia juridike.
Tashmë vëmendja zhvendoset te Këshilli i Mandateve, i cili do të duhet të vlerësojë se si do ta lexojë këtë “mosvendim” – nëse do t’i hapë rrugë arrestimit të mundshëm të Ballukut apo do të kërkojë apo sajojё një tjetër filtër institucional.
Në thelb, beteja juridike e nisur nga Kryeministri u mbyll pa një fitues të qartë. Ligji prodhoi rrëzimin formal të kërkesës, ndërsa Gjykata Kushtetuese mbeti pa thënë fjalën e fundit.






