Policia e Shtetit e ka paraqitur janarin 2026 si një muaj me angazhim maksimal, duke njoftuar finalizimin e 107 operacioneve dhe arrestimin e 498 personave të dyshuar për vepra të ndryshme penale. Megjithatë, përtej suksesit të deklaruar, vetë shifrat hedhin dritë mbi një panoramë shqetësuese të kriminalitetit dhe problematikave sociale në vend.
Operacionet kanë prekur një gamë të gjerë aktivitetesh të paligjshme – nga narkotikët dhe armëmbajtja pa leje te krimet ekonomike dhe kontrabanda – ndërsa 17 prej tyre janë zhvilluar në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë për goditjen e rrjeteve globale dhe kapjen e personave në kërkim, disa prej të cilëve kishin falsifikuar identitetin për t’iu shmangur drejtësisë. Vetëm gjatë një muaji u sekuestruan rreth 186 kg kanabis, afro 3 kg kokainë, ekstazi, heroinë, mbi 3800 bimë kanabisi dhe mijëra pajisje për kultivim në ambiente të mbyllura, si edhe dhjetëra armë zjarri, granata dhe municion luftarak.
Në të njëjtën kohë, autoritetet zbuluan ambiente të përshtatura për prodhimin e drogës në disa qytete, lokale ku shiteshin lëndë narkotike, magazina me mallra të kontrabanduara dhe baza të grupeve kriminale që trafikonin armë dhe kokainë. U sekuestruan gjithashtu rreth 20 milionë lekë, prona, biznese dhe llogari bankare të lidhura me veprimtari kriminale, ndërsa u zbardhën disa vrasje dhe plagosje.
Por tabloja bëhet edhe më domethënëse kur shihet ajo që mungon. Në raport nuk përmendet ndonjё pёrҫapje pёr goditje ndaj grupeve kriminale në arrati apo zhvillime konkrete kundër fenomenit të call centerave të paligjshëm, çka ngre pikëpyetje mbi prioritetet dhe shtrirjen reale të luftës ndaj krimit të organizuar.
Edhe shifrat e sigurisë rrugore tregojnë një tjetër problem strukturor. Gjatë janarit u arrestuan 197 drejtues mjetesh – 135 për drejtim në gjendje të dehur dhe 62 pa leje drejtimi – ndërsa u pezulluan 216 patenta. Mbi 93 mijë masa administrative u vendosën për shkelje të Kodit Rrugor, gati 4 mijë prej tyre për tejkalim shpejtësie me pezullim të lejes. Vetë këto numra sugjerojnë një kulturë të dobët të respektimit të rregullave dhe një rrezik të vazhdueshëm për sigurinë publike.
Në kufi u evidentuan 45 raste kalimi të paligjshëm, 18 tentativa me dokumente false dhe disa raste trafiku, ndërsa policia raportoi edhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme kriminale, përfshirë persona që lëviznin të armatosur dhe konflikte që rrezikonin të përshkallëzoheshin.
Në tërësi, raporti i Policisë synon të tregojë intensitetin e punës së strukturave ligjzbatuese, por një lexim më analitik i shifrave sugjeron se kriminaliteti mbetet i përhapur në disa nivele – nga trafiku i drogës dhe armëve te shkeljet masive në rrugë. Mes operacioneve dhe sekuestrimeve, prania e shtuar e policisë është e dukshme, por po aq e dukshme, mbase dhe mё shumё, është sfida që paraqet realiteti i sigurisë në vend.






