Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, aktivistja iraniane Narges Mohammadi, është dënuar me më shumë se shtatë vite të tjera burg, sipas avokatit të saj dhe mbështetësve, duke thelluar shqetësimet ndërkombëtare për trajtimin e zërave kritikë në Iran.
Avokati Mostafa Nili bëri të ditur se Mohammadi ka marrë disa dënime për akuza të ndryshme: gjashtë vite burg për “mbledhje dhe bashkëpunim me qëllim kryerjen e krimeve” dhe një vit e gjysmë shtesë për akuza që lidhen me propagandën. Përveç kësaj, gjykata i ka ndaluar udhёtimet pёr dy vite dhe e ka urdhëruar të kalojë dy vite në internim të brendshëm në qytetin Khosf, në provincën e Khorasanit Jugor. Sipas ligjit iranian, dënimet do të kryhen njëkohësisht, çka do të thotë se zbatohet afati më i gjatë.
Autoritetet iraniane nuk e kanë konfirmuar publikisht vendimin, ndërsa avokati theksoi se ai nuk është ende përfundimtar dhe mund të ankimohet. Ai shprehu gjithashtu shpresën që, për shkak të gjendjes shëndetësore, aktivistja tё mund të lirohet përkohësisht me kusht për të marrë trajtim mjekësor.
Zhvillimi vjen në një moment delikat, pasi mbështetësit raportojnë se Mohammadi ka hyrë në grevë urie që prej fillimit të shkurtit. Problemet shëndetësore e kanë shoqëruar vazhdimisht; në dhjetor 2024 ajo u lirua për rreth tre javë për arsye mjekësore, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e një tumori dhe transplant kocke.
Edhe nga burgu, 53-vjeçarja ka vijuar të protestojë, duke organizuar demonstrata brenda oborrit të burgut dhe duke hyrё nё greva urie. Mohammadi ka kaluar pjesën më të madhe të dekadës së fundit mes arrestimeve dhe burgut për shkak të aktivizmit të saj kundër dënimit me vdekje dhe kundërshtimit të kodit të detyrueshëm të veshjes për gratë.
E arrestuar disa herë gjatë 25 viteve të fundit, ajo nuk i ka parë fëmijët e saj binjakë, që jetojnë në Paris, që nga viti 2015. Në vitin 2023, Mohammadi u nderua me Çmimin Nobel për Paqe për punën në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe për qëndrimin e saj kundër dёnimit me vdekje. Çmimin e morën fëmijët në emrin e saj, pasi ajo ndodhej në burg.
Organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, përfshirë Amnesty International, e kanë kritikuar vazhdimisht bilancin e Iranit në këtë fushë, duke theksuar se vendi kryen më shumë ekzekutime çdo vit se çdo shtet tjetër, me përjashtim të Kinës, për të cilën mungojnë të dhëna të besueshme.






