“Nuse” është një film dokumentar që solli në ekranin e qendrës së artit “Agimi” këngën e grave të Zadrimës si një akt kujtese, qëndrese dhe trashëgimie kulturore. Përmes zërit femëror, filmi hap një hapësirë reflektimi mbi identitetin dhe mbijetesën e tij në kohë.
Vepra mban autorësinë e kompozitorit Robert Bisha, i cili ka realizuar edhe muzikën origjinale të dokumentarit, të ndërtuar mbi procese elektroakustike dhe dialogun mes traditës dhe eksperimentit bashkëkohor.
“Nuse” artikulohet si një qëndrim kritik ndaj sistemeve që kanë shpronësuar identitetin kulturor dhe kanë heshtur kujtesën kolektive, duke u shndërruar në një formë denoncimi artistik ndaj diktaturave dhe mekanizmave të përvetësimit kulturor.
Me një qasje kryesisht etnomuzikologjike, por njëkohësisht politike, historike dhe artizanale, dokumentari rikthen në vëmendje përjetimet e tranzicionit dhe memorien e trashëguar brez pas brezi.
Filmi nuk ndjek një ritual të caktuar nusërie, por shpalos arketipin e ritualit në vetvete, ashtu siç reflektohet në këngët e nusërisë. Zërat e grave, monodia e pasur në thjeshtësinë e saj, ritmika e gjuhës gegë dhe poetika shpesh mistike e teksteve, ndërtojnë një rrëfim intim dhe depërtues, ku historia personale dhe ajo kolektive ndërthuren natyrshëm.







