Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim të detajuar në prag të tubimit të paralajmëruar nga Partia Demokratike, i cili do të zhvillohet nesër në orën 17:00 para Kryeministrisë. Krahas masave për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjes së protestës, autoritetet kanë bërë edhe një apel të fortë për qytetarët, duke i kërkuar të shmangin zonat që do të bllokohen dhe të distancohen nga çdo veprim i kundërligjshëm që mund të cenojë sigurinë publike.
Sipas policisë, kufizimet në qarkullim nisin që mbrëmjen e sotme. Duke filluar nga ora 23:45, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”, deri në përfundim të tubimit.
Ndërkohë, nesër nga ora 15:00 e deri në përfundim të protestës do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në segmentin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”. Kufizime do të ketë gjithashtu edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Autoritetet paralajmërojnë se, në varësi të ecurisë së tubimit, mund të ketë bllokime edhe në akse të tjera rrugore. Për këtë arsye, policia ka planifikuar devijimin e trafikut në rrugë alternative për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.
Por ajo që bie në sy në njoftim është apeli i drejtpërdrejtë për publikun: qytetarët këshillohen të shmangin lëvizjen me automjete në zonat e prekura, në mënyrë që të mos pengojnë pjesëmarrësit në tubim, si dhe të distancohen nëse përballen me situata të paligjshme apo që rrezikojnë rendin dhe sigurinë.
Me këtë thirrje, Policia e Tiranës duket se jo vetёm synon të parandalojë çdo incident të mundshëm dhe të mbajë nën kontroll situatën gjatë protestës, por parashikon pёrshkallёzime tё dhunshme tё saj ditёn e nesёrme.
Njoftimi i plotё i Policisё sё Shtetit nё rrjetin social Facebook:
Tiranë/Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi, ditën e nesërme, në orën 17:00, para Kryeministrisë.
Me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat, në bazë të ligjit “Për tubimet”.
Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme dhe të nesërme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
-Nga ora 23:45 e ditës së sotme, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit, në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;
-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
Policia e Tiranës i ben thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kunderligjshme që cënojnë rendin dhe sigurinë publike.






