Email-e të publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë hedhin dritë mbi një pretendim të bujshëm të financierit të ndjerë Jeffrey Epstein ndaj themeluesit të Microsoft, Bill Gates. Në një mesazh të vitit 2017 drejtuar këshilltarit të Gates, Boris Nikolic, Epstein e akuzonte miliarderin se ishte “shumë i lirë”, duke pretenduar se ish-e dashura e tij ruse jetonte pa para dhe flinte në divanin e një miku.
Sipas mesazhit, bëhej fjalë për Mila Antonovën. Epstein shkruante se ajo i kishte thënë se nuk mund të përballonte as një kondicioner dhe kishte nevojë urgjente për ndihmë financiare. “I dërgova disa para,” thuhet se ka shkruar ai, duke shtuar me ironi: “Njeriu më i pasur në botë është kaq dorështrënguar sa ish-e dashura e tij jeton në divanin e një shoqeje. Uau!”
Nikolic dyshohet se e prezantoi Antonovën me Epstein në vitin 2013, ndërsa ky i fundit pagoi për një kurs programimi për të. Më vonë, sipas burimeve të cituara nga Wall Street Journal, Epstein i kërkoi Gates t’ia kthente shumën e dhënë.
Një zëdhënës i Gates pranoi në vitin 2023 se Epstein kishte tentuar pa sukses të shfrytëzonte një marrëdhënie të kaluar për të ushtruar presion ndaj miliarderit. Gates nuk e ka konfirmuar kurrë publikisht lidhjen e supozuar me Antonovën, e cila ishte rreth 30 vite më e re se ai dhe me të cilën thuhet se u njoh në një turne të Kampionatit të Bridge-it të Amerikës së Veriut në vitin 2009. Në atë kohë, biznesmeni ishte ende i martuar me Melinda Gates.
Raportimet kanë përmendur edhe lidhje të mundshme të Antonovës me Anna Chapman, e njohur si spiune ruse, megjithëse nuk ka prova për ndonjë shkelje nga ana e saj. Vetë Antonova ka deklaruar më herët se nuk e dinte për të kaluarën kriminale të Epstein. “Thjesht mendova se ishte një biznesmen i suksesshëm. Jam e neveritur nga ajo që bëri,” është shprehur ajo.
Dokumentet sugjerojnë gjithashtu se Epstein kërkonte ta tërhiqte Gates si donator kryesor në një fondacion global shumë-miliardësh, një projekt që sipas kritikëve mund të kishte shërbyer për të rritur ndikimin e tij dhe për të maskuar jetën private.
Dy burrat zhvilluan disa takime dhe Gates madje ka udhëtuar një herë me avionin privat të Epstein, të njohur si “Lolita Express”. Megjithatë, nuk ka prova që e lidhin Gates me aktivitete kriminale.
Zbulimet e fundit rikthejnë vëmendjen mbi rrjetin e gjerë të kontakteve që Epstein kultivoi me figura të fuqishme botërore, ndërsa autoritetet vijojnë të analizojnë dokumente që mund të nxjerrin detaje të tjera mbi marrëdhëniet e tij me elitën financiare dhe politike.
(Burimi: Daily Mail)






