Agjencia ndërkombëtare Reuters i ka kushtuar vëmendje protestës antiqeveritare që po zhvillohet në Tiranë, duke theksuar se tubimi është nxitur nga hetimi për korrupsion ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas Reuters, forca të shumta policie u vendosën në formacion përpara godinës së Kryeministrisë, ndërsa flakët dhe tensionet shënuan momentet më të nxehta të protestës. Pamjet e publikuara nga agjencia tregojnë efektivët e rendit të rreshtuar përballë demonstruesve, ndërsa zjarret ngrihen pranë zonës së protestës.
Protesta shihet si një reagim i drejtpërdrejtë ndaj zhvillimeve të fundit politike dhe hetimit ndaj numrit dy të qeverisë, duke bërë që ngjarja të marrë jehonë ndërkombëtare. Fakti që Reuters e ka renditur mes imazheve kryesore të ditës, tregon se situata në kryeqytetin shqiptar po ndiqet me interes edhe jashtë vendit.
Raportimi i medias globale sugjeron se demonstrata ka kaluar kufijtë e një zhvillimi lokal, duke u kthyer në një lajm me rëndësi për opinionin ndërkombëtar, ndërsa tensionet politike në Shqipëri vijojnë të jenë në fokus.

(Burimi: Reuters)






