Një studim i ri ka zbuluar se përbërës të pranishëm në aloe vera mund të kenë potencial në trajtimin e sëmundjes së Alzheimerit, forma më e zakonshme e demencës. Sipas raportimit të Daily Mail, shkencëtarët identifikuan beta-sitosterolin – një përbërës natyror me strukturë të ngjashme me kolesterolin – si një kandidat premtues për zhvillimin e ilaçeve të reja.
Alzheimeri është një sëmundje progresive që prek kujtesën dhe aftësitë njohëse, kryesisht tek personat mbi 65 vjeç. Me përparimin e saj, pacientët përballen me vështirësi në të folur, përpunimin e informacionit dhe madje edhe me halucinacione. Aktualisht nuk ekziston një kurë, por disa medikamente ndihmojnë në lehtësimin e simptomave, ndonëse shpesh shoqërohen me efekte anësore si të vjella, diarre apo rrahje të ngadalta të zemrës.
Studimi, i botuar në revistën “Current Pharmaceutical Analysis”, shqyrtoi mënyrën se si komponimet bimore të aloe verës ndërveprojnë me dy enzima kyçe – acetilkolinesterazën dhe butirilkolinesterazën – të cilat lidhen drejtpërdrejt me humbjen e kujtesës. Këto enzima shpërbëjnë acetilkolinën, një substancë kimike që ndihmon qelizat nervore të komunikojnë. Në pacientët me Alzheimer, nivelet e saj janë tashmë të ulëta.
Duke përdorur simulime kompjuterike, studiuesit zbuluan se beta-sitosteroli lidhet fort me këto enzima, duke sugjeruar se mund të ndihmojë në ruajtjen e acetilkolinës dhe potencialisht në ngadalësimin e rënies njohëse. Autorja kryesore e studimit, Meriem Khedraoui, theksoi se përbërësi “shfaq stabilitet të konsiderueshëm lidhës, duke e bërë një kandidat premtues për zhvillime të mëtejshme farmaceutike”.
Analiza tregoi gjithashtu se beta-sitosteroli dhe acidi succinik mund të përthithen mirë nga organizmi dhe kanë gjasa të jenë jo-toksikë në nivele terapeutike. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kërkimi është ende në fazat e hershme dhe se nevojiten eksperimente laboratorike dhe prova klinike për të konfirmuar efektivitetin real tek pacientët.
Shifrat e demencës mbeten alarmante. Në nivel global, rastet mund të trefishohen deri në 153 milionë në vitin 2050, ndërsa kostot sociale dhe shëndetësore tashmë kapin mbi 780 miliardë paund në vit.
Megjithëse aloe vera shihet prej kohësh si një bimë me përfitime shëndetësore, shkencëtarët theksojnë se ajo nuk duhet konsideruar ende një trajtim për Alzheimerin. Studimi, megjithatë, hap një derë të re për kërkimet mbi terapitë me bazë bimore dhe jep shpresë për alternativa më të sigurta në të ardhmen.






