Nga kinema “Majestic” në shtëpinë më të madhe kinematografike amerikane “Metro Goldwin Mayer”, për të mos harruar një ndalesë në Paris, në Londër dhe në Vjenë. Një trajektore ëndrrash, e këngëtares, kërcimtares, akrobates dhe aktores me origjinë nga Korça.
A e dini se cila është “The Little Elena”, e para shqiptare që shkeli Hollivudin?
Talenti del në sipërfaqe që në moshë të hershme. Kështu ndodhi edhe me Elena Qiricin, e cila debutoi në skenë kur numëronte vetëm shtatë vjeç. Fillimisht u njoh nga publiku i vendorigjinës, Korçës, ku ishte pjesë e një shfaqjeje të mbajtur në sallën e kinema “Majestic” së bashku me anëtarët e familjes së saj.
Fillimi i mbarë gjysma e punës, por prindërit e Elenës ishin të mendimit se talenti nuk ishte i mjaftueshëm në rrugën drejt suksesit. Për këtë arsye, në vitin 1938 artistja nisi studimet në Vjenë. Suksesi i Qiricit në qarqet artistike të kritikës dhe të shtypit vjenez ishte i menjëhershëm, aq sa të vërshonin ofertat nga disa shoqëri evropiane.
Pas një marrëveshjeje me teatrin Bartol di Simo në Itali dhe me shoqërinë franceze ABC, Qirici dha shfaqje në këto dy qendra të kulturës evropiane.
Destinacioni i radhës ishte përtej Atlantikut. Qirici u kontraktua nga shoqëria kinematografike amerikane “Metro-Goldwin-Mayer” për të luajtur në disa filma në role protagoniste.

(Burimi: DPA)






