Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka deklaruar publikisht se i ka shpëtuar një atentati të mundshëm, duke zbuluar se do të ndryshojë vendbanim në ditët në vijim për arsye sigurie. Në një konferencë për shtyp, kreu i shtetit pranoi se masa është e domosdoshme për të shmangur rrezikun ndaj jetës së tij.
“Duhet të pranoj se do të zhvendosem pas dy ditësh, duke u përpjekur të shmang vrasjen,” tha Petro, ndërsa bëri të ditur se incidenti kishte ndodhur vetëm një ditë më parë gjatë një udhëtimi me helikopter.
Gjatë një mbledhjeje kabineti të transmetuar drejtpërdrejt, presidenti shpjegoi se nuk arriti të ulej sipas planit në departamentin e Kordobës, në bregdetin Karaibe, pasi ekipi i sigurisë dyshonte se mjeti ajror mund të qëllohej. Sipas tij, pista nuk ishte ndriçuar dhe rreziku konsiderohej i lartë.
“Kjo është arsyeja pse nuk munda të shkoja atje mbrëmë; nuk u ulëm as në mëngjes, sepse kisha frikë se do të qëllonin helikopterin, i cili kishte edhe fëmijët e mi në bord,” u shpreh Petro. Helikopteri më pas devijoi kursin drejt detit të hapur për rreth katër orë, përpara se të arrinte në një destinacion tjetër të sigurt. “Nuk arrita aty ku duhej të shkoja, por arrita,” shtoi ai.
Deklaratat e presidentit erdhën në një moment tensioni të lartë, pas raportimeve për zhdukjen e senatores indigjene Aida Quilcué, e cila dyshohet se është rrëmbyer nga grupe të armatosura lokale. Petro kërkoi lirimin e menjëhershëm të saj, duke paralajmëruar se rrëmbimi përbën kalimin e një “vije të kuqe”.
Nuk është hera e parë që presidenti, në detyrë që prej vitit 2022, paralajmëron për kërcënime ndaj jetës së tij. Ai ka deklaruar më herët se rrjete kriminale të lidhura me trafikun e drogës po planifikojnë eliminimin e tij.
Rrëmbimi i senatores ndodhi në një zonë të njohur për konfliktin e armatosur dhe kultivimin e kokainës, territor që aktualisht kontrollohet nga disidentë të FARC-ut – ish-grupi gueril që u çmobilizua zyrtarisht pas marrëveshjes së paqes të vitit 2016.
Zhvillimet e fundit ngrenë alarmin për përkeqësimin e situatës së sigurisë në Kolumbi, ndërsa autoritetet pritet të rrisin masat për mbrojtjen e presidentit dhe stabilitetin institucional të vendit.
(Burimi: Tgcom)






