Drejtori kombëtar i Xhandarmërisë Kiliane, Rubén Pérez, njoftoi të martën shkarkimin nga detyra të kreut të Kompleksit të Burgjeve La Serena, pas një krimi që ka tronditur opinionin publik. Burgu ndodhet në rajonin Coquimbo, në veri-qendër të Kili.
Ngjarja ndodhi të dielën, më 9 shkurt, kur një i burgosur vrau shokun e tij të qelisë duke e goditur me thikё në qafë. Rasti shkaktoi reagime të forta, sidomos pasi Zyra e Prokurorit – e cila tashmë ka mbyllur hetimin – raportoi se viktima shfaqte shenja kanibalizmi.
Pérez shpjegoi se shkarkimi erdhi për shkak të “mungesës së kontrollit mbi aspektet themelore dhe të ndjeshme të operacioneve të brendshme të institucionit”. Sipas tij, veprimet e drejtorit krijuan “kushte për situata të padëshirueshme”, që çuan jo vetëm në vdekjen tragjike të një të burgosuri të dënuar, por edhe në sulme serioze ndaj stafit – përfshirë një rast në janar kur një roje u godit me thikë në shpatull.
Të burgosurit, 21-vjeçari Manuel Fuentes Martínez dhe 26-vjeçari Felipe Sepúlveda Ramos, ndanin qelinë numër 20 në modulin 91 të burgut La Serena. Ata duhej të ishin transferuar në qendra të tjera paraburgimi disa ditë më parë, por transferimi nuk u realizua.
Krimi u zbulua në orët e para të mëngjesit të së dielës nga një roje që po patrullonte bllokun e qelive. Viktima u gjet e shtrirë në dysheme, ndërsa Fuentes thuhet se ishte në gjumë dhe pretendoi se kishte vepruar në vetëmbrojtje.
Pas ngjarjes, ai u transferua nga La Serena në Burgun Special të Sigurisë së Lartë (REPAS) në Santiago, burgu kryesor i sigurisë maksimale në vend, i vendosur në zonën e Qendrës së Drejtësisë. Atje, Fuentes mbahet në seksionin e sigurisë maksimale dhe monitorohet 24 orë në ditë.
Prokurori Eduardo Yáñez e cilësoi rastin si një akt “dhune ekstreme”, duke shtuar se, çuditërisht, pas sulmit, i dyshuari mendohet se kishte ngrënë pjesë të trupit të viktimës.
Fuentes Martínez ndodhej në burg i akuzuar për disa krime, mes tyre posedim të një arme të ndaluar dhe grabitje të armatosur në rajonin La Araucanía në jug të Kilit. Në vitin 2023, ai ishte arratisur nga burgu Burgu Puente Alto, në jug të Santiagos.
Ndërkohë, Sepúlveda po vuante një dënim prej shtatë vitesh burg për një grabitje të armatosur të kryer në vitin 2022, që kishte në shënjestër një grua 76-vjeçare dhe mbesën e saj nëntëvjeçare në shtëpinë e tyre në lagjen La Reina, në lindje të Santiagos.
Drejtori i Xhandarmërisë bëri të ditur se deri tani, gjatë vitit 2026, janë regjistruar shtatë vdekje në burgjet kiliane. Në vitin 2024 humbën jetën 48 persona nga sulmet, ndërsa në vitin 2025 autoritetet zbatuan një plan për të adresuar 12 njësitë më problematike, duke e ulur numrin e viktimave në 27.
Plani përfshin çarmatimin sistematik të të burgosurve me ndërhyrjen e ekipeve të specializuara dhe përdorimin e teknologjisë.
Siguria në burgje, veçanërisht në mjediset ku mbahen persona të lidhur me krimin e organizuar, mbetet një prioritet për autoritetet kiliane. Kjo është thelbësore si për qeverinë aktuale të presidentit Gabriel Boric, e cila në vitin 2024 njoftoi ndërtimin e një burgu të ri me siguri maksimale, ashtu edhe për qeverinë e ardhshme të José Antonio Kast.
(Burimi: EL PAÍS)






