Albulena Haxhiu është zgjedhur në krye të Kuvendit tё Kosovës, duke përmbushur një objektiv që Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti ta realizonte vitin e kaluar. Pas një përballjeje politike me opozitën, ajo do të drejtojë institucionin ligjvënës për katër vitet e ardhshme.
Haxhiu, e cilësuar si gruaja më e votuar në vend, mori 66 vota pro, ndërsa 44 deputetë votuan kundër dhe tetë abstenuan. Në legjislaturën e nëntë, emri i saj ishte propozuar gjashtë herë për këtë post, por ishte kundërshtuar nga opozita, e cila e konsideronte një “figurë përçarëse”. Megjithatë, ndikimi i saj politik vijoi të rritej.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit ajo mori 125,722 vota, ndërsa në ato të 28 dhjetorit arriti në 174,456 vota. Haxhiu njihet për stilin e drejtpërdrejtë dhe shpesh konfrontues në debatet me kundërshtarët politikë.
Nga aktiviste në krye të Kuvendit
Lidhja e saj me politikën është e hershme. Ajo u bë deputete për herë të parë në moshën 23-vjeçare, duke qenë ndër më të rejat në atë kohë, dhe shpejt u shndërrua në një nga zërat kryesorë të Vetëvendosjes, së cilës iu bashkua në vitin 2010.
Në vitin 2020, kryeministri Albin Kurti i besoi drejtimin e Ministrisё sё Drejtësisë sё Kosovës, detyrë që e mbajti deri më 25 gusht 2025. Ajo shërbeu gjithashtu si Koordinatore Kombëtare për Parandalimin e Dhunës në Familje.
E lindur më 11 maj 1987 në Prishtinё, ajo ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik të Universiteti i Prishtinës dhe mban titullin Master në të drejtën penale nga Universiteti i Evropës Juglindore. Brenda partisë, drejton organizatën “Gratë për VETËVENDOSJE!” dhe është anëtare e Kryesisë. Është e martuar me Alban Krasniqi, anëtar i KQZ-së nga radhët e LVV-së.
E shkuara politike dhe procesi gjyqësor
Karriera e saj nuk ka qenë pa polemika. Në vitin 2016, si pjesë e opozitës së atëhershme, ajo u përfshi në hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend gjatë kundërshtimeve për Demarkacionin dhe Asociacionin. Për këtë veprim u akuzua për “armëmbajtje pa leje”.
Gjykata Themelore e liroi nga akuza më 18 maj 2021, por Gjykata e Apelit e ktheu çështjen në rigjykim. Procesi mbetet ende i hapur për shkak të shtyrjeve të shpeshta të seancave, duke bërë që kryeparlamentarja e re të jetë ende nën shqyrtim gjyqësor për veprimet e saj të dikurshme si opozitare.
(Burimi: Kallxo.com)






