Një debat i fortë ka shpërthyer brenda komunitetit të inteligjencës amerikane dhe mes administratës e Kongresit, pasi emri i Jared Kushner, dhëndrit të presidentit Donald Trump, u përmend në një komunikim të përgjuar mes dy shtetasve të huaj që diskutonin për Iranin.
Rasti doli në dritë pasi ligjvënësit u informuan për një raport të klasifikuar të hartuar nga një sinjalizues (bilbil-fryrёs), i cili akuzon drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, se kufizoi shpërndarjen e dokumentit dhe bllokoi qarkullimin e tij më të gjerë në agjencitë e spiunazhit.
Raporti u përgatit në maj të vitit të kaluar, në një kohë kur administrata Trump po shqyrtonte mundësinë e një sulmi ndaj Iranit. Në fund të qershorit, ushtria amerikane bombardoi objektiva bërthamore iraniane me urdhër të presidentit.
Sipas zyrtarëve që kanë njohuri për materialin, emri i Kushner ishte redaktuar në raportin fillestar të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA), por lexuesit arritën të kuptonin se bëhej fjalë për të. Praktika e fshehjes së emrave të amerikanëve në përgjime quhet “maskim” dhe përdoret zakonisht për të mbrojtur privatësinë, veçanërisht kur bëhet fjalë për zyrtarë të lartë.
Zyrtarë të ndryshëm kanë minimizuar rëndësinë e përmendjes së Kushnerit, duke thënë se shtetasit e huaj thjesht po diskutonin ndikimin e tij në administratën Trump dhe e konsideronin atë personin e duhur për t’u kontaktuar nëse dikush donte të ndikonte në bisedimet për Lindjen e Mesme. Përgjimi përfshinte edhe elementë që u përshkruan si “thashetheme” apo spekulime të pambështetura nga tё dhёna tё tjera, madje disa prej tyre u cilësuan si të rreme.
Megjithatë, sinjalizuesi argumenton se informacioni duhej shpërndarë më gjerësisht. Këshilltarja ligjore e NSA-së, vetë Gabbard dhe inspektorët e përgjithshëm të komunitetit të inteligjencës nuk ranë dakord me këtë vlerësim.
Inteligjenca në fjalë erdhi nga një shërbim i huaj dhe bazohej në një përgjim telefonik — materiale që shpesh janë të vështira për t’u interpretuar dhe zakonisht kërkojnë verifikim përmes burimeve të tjera, si agjentët në terren apo dokumentet sekrete.
Pas ngritjes së pikëpyetjeve mbi përmbajtjen, Gabbard vendosi të kufizojë aksesin në raport dhe ia përcolli informacionin shefes së stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles.
Zyra e Kushnerit refuzoi të komentojë, ndërsa Shtëpia e Bardhë dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare nuk pranuan të diskutojnë mbi raportin e klasifikuar.
Inspektorët e përgjithshëm e kanë pastruar më herët Gabbard nga çdo shkelje, një qëndrim që u mbështet publikisht edhe nga senatori republikan Tom Cotton, i cili tha se ankesa nuk përmbante “akuza të besueshme për abuzim apo mashtrim”. Megjithatë, disa kritikë mendojnë se Kongresi duhej të ishte njoftuar më herët për ekzistencën e raportit.
Komiteti i inteligjencës pritej t’i dorëzonte Kongresit edhe raportin bazë, por kjo ende nuk ka ndodhur. Një kopje shumё e redaktuar e raportit të inspektorit u është dërguar ligjvënësve, ndërsa emri i Kushnerit është fshehur sërish, këtë herë me argumentin e “privilegjit ekzekutiv”.
Çështja mbetet e klasifikuar dhe identiteti i sinjalizuesit nuk është bërë publik, por episodi ka thelluar tensionet politike në Uashington dhe ka rihapur debatin mbi transparencën dhe mënyrën se si trajtohen informacionet sensitive në nivelet më të larta të sigurisë amerikane.
(Burimi: NYT)






