Yuko Yamaguchi, stilistja që për dekada formësoi imazhin e personazhit të famshëm “Hello Kitty”, ka vendosur të largohet nga detyra pas një karriere 46-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga kompania japoneze Sanrio, e cila e falënderoi për kontributin duke theksuar se ajo tashmë ia ka “kaluar stafetën brezit të ardhshëm”.
Yamaguchi mori drejtimin e dizajnit të personazhit në vitin 1980, vetëm pesë vite pas debutimit të tij, dhe luajti një rol kyç në shndërrimin e Hello Kitty në një fenomen global. Gjatë kësaj periudhe, personazhi u kthye në një nga franchisat më fitimprurëse në botë, duke u shfaqur në produkte të shumta – nga veshjet dhe aksesorët, te videolojërat dhe madje edhe në një avion të dedikuar.
E krijuar në kulmin e kulturës japoneze “kawaii”, një estetikë e njohur për stilin e saj të ëmbël dhe vajzëror, Hello Kitty fitoi shpejt popullaritet jo vetëm në Japoni, por në mbarë botën. Vetë Yamaguchi shpesh identifikohej me personazhin, duke u shfaqur në publik me veshje të frymëzuara nga stili i tij.

Kompania bëri të ditur se dizajnerja e njohur me pseudonimin “Aya”, e cila ka bashkëpunuar prej kohësh me Yamaguchin, do të marrë drejtimin e plotë të projektit deri në fund të vitit 2026. Ndërkohë, Yamaguchi do të vijojë të jetë pjesë e Sanrios në rolin e këshilltares.
Hello Kitty u prezantua fillimisht në një portofol monedhash dhe që atëherë është kthyer në një simbol të marketingut global, me bashkëpunime me marka si Nintendo, Balenciaga dhe UNICEF. Personazhi ka kafene dhe park tematik në Japoni, ndërsa një tjetër park pritet të hapet në Kinë.
Megjithëse shpesh perceptohet si mace, kompania ka sqaruar se Hello Kitty është në fakt një vajzë e vogël nga Londra, me motrën binjake Mimmy dhe të dashurin Dear Daniel. Personazhi pritet të debutojë edhe në kinematografi me një film të Warner Bros në vitin 2028, duke dëshmuar se popullariteti i saj mbetet i fortë edhe pas gati pesë dekadash.






